Kosova
PO BEN AKROBACI/ VUÇIÇ SULMON DONALD TRUMP
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar edhe njëherë me tone skeptike dhe herë-herë përçmuese, refrenin për paraqitjen e presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se audienca nuk reagoi ndaj humorit dhe “akrobacive” të tij, në një atmosferë që sipas Vuçiqit ishte e mbushur me frikë dhe pasiguri globale.
Ai tha se Trump është “simpatik” dhe di si ta bëjë audiencën të qeshë, por se këtë herë përballë kishte një publik shumë serioz, i cili nuk reagoi siç ishte mësuar.
“Pashë humorin e njerëzve. Ishin disa nga njerëzit më të fuqishëm, krerët e kompanive si Nvidia dhe gjigantë të tjerë teknologjikë. Kurrë nuk kam parë një botë më të frikësuar dhe më nervoze. Të gjithë donin të fusnin kokën diku”, u shpreh presidenti serb.
Në deklaratat e tij, Vuçiq u ndal edhe te Kosova, duke thënë se sipas tij, politika amerikane, përfshirë atë të Trumpit, nuk bazohet në parime.
Megjithatë, ai u përpoq të balancojë kritikat me vlerësime pozitive për SHBA-në, duke thënë se ai është “falenderues” për disa vendime amerikane ndaj Serbisë.
Vuçiq përsëriti narrativën e tij të njohur për rënien e fuqisë evropiane, duke theksuar se Serbia, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka alternativë tjetër gjeopolitike.
Ai shtoi se politika e tij mbetet ajo evropiane, por gjithmonë duke mbrojtur interesat e Serbisë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve politike në të ardhmen, por vetëm përmes zgjedhjeve.
Duket qarte se deklaratat e Vuçiqit reflektojnë një prirje gjithnjë e më të dukshme për distancim retorik nga Donald Trump, duke e portretizuar atë si figurë populiste që nuk gjen më jehonë në qarqet elitare globale, ndërkohë që presidenti serb përpiqet të paraqitet si aktor racional.