Connect with us

Politike

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK/ Vengu: Rihapin plagë historike…

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Hagës, për të dënuar me 180 vite burg, ish-krerët e UÇK-së.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vengu u shpreh se paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës.

Sipas Vengut, krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara.

Vengu shtoi se akuzat janë të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.

“Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.

Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara. Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.

Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve. E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët.”, shkruan Vengu.

Advertisement