Aktualitet
Takim i nivelit të lartë për Korridorin VIII, delegacione nga rajoni dhe BE në Tiranë
Tirana do të mirëpresë më 18 shkurt 2026 Ministerialin e Korridorit VIII, një takim rajonal i nivelit të lartë që do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.
Sipas njoftimit zyrtar, ministeriali synon të thellojë bashkëpunimin ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit VIII, i konsideruar një projekt me rëndësi të madhe infrastrukturore dhe gjeopolitike për rajonin.
Kjo shihet si një arterie strategjike për transportin, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë, duke ndihmuar njëkohësisht integrimin rajonal dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore evropiane.
Seanca plenare do të trajtojë temën “Korridori VIII në momentin strategjik të Evropës: Lidhshmëria, qëndrueshmëria përmes lëvizshmërisë ushtarake dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”, ku pritet të theksohet roli i korridorit si një shtyllë që bashkon dimensionin ekonomik, të sigurisë dhe të ndërlidhjes rajonale.
Në përfundim të takimit pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët, ndërsa programi do të përfshijë edhe takime dypalëshe dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në kuadër të këtij ministeriali, në ambientet e Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik për Korridorin VIII, me temë “Nga Lidhja Strategjike drejt Rritjes Ekonomike Rajonale: Potenciali Ekonomik i Korridorit VIII”.
Forumi do të bashkojë autoritete publike, institucione evropiane, institucione financiare ndërkombëtare dhe aktorë ekonomikë, me synim avancimin e dialogut për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë dhe investimet përgjatë korridorit.
Diskutimet do të fokusohen në lehtësimin e tregtisë, zhvillimin industrial dhe rritjen e konkurrueshmërisë rajonale, si dhe në mobilizimin e instrumenteve financiare evropiane dhe ndërkombëtare.