Bota
Nuk ka më dyshime, Putin po zhvendos raketat bërthamore në kufijtë e Europës
Vladimir Putin po zhvendos raketa bërthamore në kufirin e Bashkimit Evropian. Paralajmërimi erdhi nga udhëheqësja e opozitës në mërgim e Bjellorusisë.
Në një intervistë për “The Telegraph”, Sviatlana Tsikhanouskaya tha se Bjellorusia po ndihmonte Rusinë të përshkallëzonte luftën e saj në Ukrainë ndaj apeloi që Evropa t’i kushtonte “më shumë vëmendje asaj që po ndodh” në këtë territor.
Ajo tha se Alexander Lukashenko, aleati dhe njeriu i fortë i Putinit në Bjellorusi, po lehtësonte agresionin e udhëheqësit rus në Ukrainë duke i lejuar atij të intensifikonte praninë ushtarake të Rusisë në vend.

“Ne shohim se si në territorin bjellorus, regjimi i zotit Lukashenko po intensifikon praninë e Rusisë. Ata janë gati të vendosin armë bërthamore [në Bjellorusi], raketa ruse”, – tha Tsikhanouskaya.
Ajo shtoi se Bjellorusia ishte gjithashtu një kontribues i rëndësishëm në fuqinë ushtarako-industrial ruse, duke vlerësuar se kishte “rreth 300 ndërmarrje bjelloruse” që ndihmonin përpjekjet e Moskës, duke përfshirë ndërtimin e ndërmarrjeve të reja për prodhimin e dronëve.
“Pra, duket sikur po përgatiten për përshkallëzim”, – tha Tsikhanouskaya.
Ajo tha se Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, të cilin e takoi së fundmi, ishte në dijeni të rrezikut “sepse ky përshkallëzim mund të prekë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet evropiane. Prandaj, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje asaj që po ndodh në Bjellorusi”.
Në dhjetor, ministria e mbrojtjes e Rusisë publikoi pamje që supozohet se tregonin ushtrinë e saj duke vendosur një sistem raketash të aftë për të mbajtur armë bërthamore në një bazë ajrore në Bjellorusinë lindore.
Lukashenko tha gjithashtu se 10 sisteme Oreshnik – sisteme raketash balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi dhe të aftë për të mbajtur armë bërthamore do të stacionoheshin në këtë vend.
Një vendosje e tillë do të zvogëlonte ndjeshëm kohën që do t’i duhej Kremlinit për të sulmuar territorin e BE-së.
Publikimi i pamjeve u interpretua nga analistët në Perëndim si një shfaqje fuqie që synonte të frikësonte Ukrainën dhe fqinjët e saj, ndërsa sinjalizonte audiencën vendase të Putinit se Rusia ishte e përgatitur të përshkallëzonte më tej konfliktin.
Javën e kaluar, dolën raporte se satelitët kishin kapur imazhe që sugjeronin se Rusia mund të jetë duke vendosur Oreshnik në një kamp ushtarak pranë qytetit Krychau, afër kufirit rus në Bjellorusinë lindore.

Oreshnikët jo-bërthamorë janë testuar në fushën e betejës në Ukrainë. Kremlini gjithashtu e ka përdorur raketën, e cila ndahet në tre koka të veçanta luftarake, për të kërcënuar Perëndimin.
Megjithatë, Kurt Volker, ish-i dërguari special i Donald Trump në Ukrainë, hodhi dyshime mbi rëndësinë strategjike të vendosjes. “Së pari, komanda dhe kontrolli i armëve bërthamore ruse mbetet komanda dhe kontrolli rus” – i tha ai The Telegraph.

“Pra, nëse ato janë në Rusi, ose nëse janë disa qindra kilometra më tej në Bjellorusi, nuk ka shumë rëndësi, ato janë armë bërthamore, dhe ato janë nën komandën dhe kontrollin rus, dhe janë të drejtuara nga të gjithë ne.”
“Le të mos alarmohemi shumë… se ky tani është një lloj kërcënimi i ri. Mendoj se ata flasin për këtë. Mendoj se mund ta kenë ushtruar, por mendoj se ka shumë më tepër nuanca në lidhje me këtë” – tha ai.
Tsikhanouskaya foli gjatë konferencës më të madhe të mbrojtjes dhe sigurisë në Evropë në Mynih.
Ajo e përshkruan veten si presidente e zgjedhur e Bjellorusisë pasi shpalli fitoren në zgjedhjet e vitit 2020 në vend. Ajo iku nga vendi me dy fëmijët e saj pasi pretendoi se Lukashenko manipuloi rezultatin, ndërsa burri i saj, i cili fillimisht kishte kandiduar kundër tij, ishte mbyllur në burg.

Ai u lirua vitin e kaluar si pjesë e një lirimi të të burgosurve të mbështetur nga SHBA-ja dhe familja vazhdon të jetojë në mërgim midis Lituanisë dhe Polonisë.
Tsikhanouskaya mbetet nën kërcënim dhe mbërriti në vendin e intervistës me The Telegraph e shoqëruar nga personeli i sigurisë.
Duke përshkruar jetën e saj në mërgim, ajo tha se ishte bërë më e lehtë në një nivel personal që nga lirimi i burrit të saj, “duke ditur se ai mund të përqafojë fëmijët tanë, por ende mijëra njerëz mbeten pas hekurave dhe ne duhet të punojmë shumë për t’i liruar të gjithë ata dhe për të ndaluar regjimet shtypëse”.
Tsikhanouskaya paralajmëroi se fati i Bjellorusisë ishte i lidhur ngushtë me atë të Ukrainës dhe shpreson të vizitojë vendin e shkatërruar nga lufta brenda muajit të ardhshëm.
Ajo tha se kishte marrë forcë nga takimet e saj me Zelensky, duke e quajtur atë një hero personal. Ajo e përshkroi atë si diçka që dukej “shumë i lodhur”, por tha se ai mbetej “shumë i përkushtuar”.
“Nëse bota demokratike nuk do t’i ndihmojë ukrainasit mjaftueshëm që ata të fitojnë këtë luftë, kjo do ta trimërojë Putinin dhe ai nuk do të ndalet aty ku është”, tha ajo, duke renditur Moldavinë, Armeninë dhe Gjeorgjinë. “Të gjithë kufijtë do të bëhen të negociueshëm”, tha Tsikhanouskaya.
“Dhe kjo është arsyeja pse, nëse Ukraina nuk do ta fitojë këtë luftë, mund t’i harrojmë ndryshimet në Bjellorusi për dekada, sepse kjo do të vendosë status quo-në në vendin tonë”, – shtoi ajo.
Tsikhanouskaya e përshkroi Lukashenko, i cili njihet si diktatori i fundit i Evropës, pasi ka mbajtur pushtetin që nga viti 1994, se “u shërben interesave të Putinit” dhe vazhdon t’ia “shesë” Rusisë pavarësinë e Bjellorusisë.
“Shpresojmë, kur Ukraina fiton, do të jetë një moment i madh, një mundësi edhe për ne, sepse Rusia do të jetë e shpërqendruar nga problemet e brendshme […] do të jetë mjaft e dobët. Dhe për këtë arsye Lukashenko do të jetë i dobët”./