Kosova
Trump uron Kosovën për 18-vjetorin e pavarësisë: Mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar presidenten Vjosa Osmani për 18-vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se SHBA mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndërsa marrëdhënia mes kombeve tona vazhdon të rritet, presim me padurim zgjerimin e partneritetit tonë, përfshirë përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve që promovojnë prosperitetin e përbashkët”.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për të avancuar paqen dhe stabilitetin për dobi të ndërsjellë”, thuhet në letrën e Trumpit dërguar Osmanit.
Trump ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën.
“Ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi përparimin e Kosovës, ndërkohë që shohim përpara për një bashkëpunim dhe partneritet edhe më të fortë”.
Ndërsa ka falënderuar Kosovën për bashkëpunimin e deritanishëm.
“Dua të falënderoj ju dhe të gjithë kosovarët për mbështetje e vazhdueshme që i keni dhënë përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të zgjidhur sfidat globale në Ukrainë, Gaza dhe vende të tjera. Gjithashtu, mirëpresim pranimin e Kosovës si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.
Kosova të martën shënon 18-vjetorin e pavarësisë. Urimi i Trumpit është i pari që pranon Kosova nga aleatët.