Connect with us

Bota

Nisin stërvitjet më të mëdha të NATO-s në Baltik, pa pjesëmarrjen e SHBA-ve

Stërvitje të mëdha të NATO-s kanë nisur në brigjet e Detit Baltik, në landin gjerman Schleswig-Holstein, në një operacion të quajtur Steadfast Dart 26, i cili zhvillohet këtë herë pa pjesëmarrjen direkte të Shteteve të Bashkuara, raporton gazeta gjermane Bild.
Sipas raportimit, njësi të Forcës së Reagimit të Aleancës (Allied Reaction Force) zbarkuan në zonën e stërvitjes Putlos, pranë ishullit gjerman Fehmarn. Skenari i manovrave parashikon dislokimin e shpejtë të trupave nga Evropa Jugore drejt krahut lindor të NATO-s.
Operacioni përfshin 15 anije dhe rreth 2 mijë e 600 trupa në fazën e zbarkimit, ndërsa në total marrin pjesë rreth 10 mijë ushtarë, mbi 1 mijë e 500 mjete ushtarake dhe 17 anije nga 13 vende anëtare të Aleancës.
Kontingjentet më të mëdha janë siguruar nga Turqia, Spanja, Italia dhe Greqia. Stërvitjet po ndiqen nga afër edhe nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Sipas Bild, Forca e Reagimit të Aleancës konsiderohet si “maja e shtizës” së NATO-s. Në rast krize, kjo forcë mund të dislokojë deri në 40 mijë trupa brenda dhjetë ditësh, pas një vendimi të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Stërvitjet zhvillohen në një moment kur NATO po forcon praninë dhe gatishmërinë në
krahun lindor, në sfondin e luftës në Ukrainë dhe tensioneve të vazhdueshme me Rusinë.

Advertisement