Bota
TEHERANI ZYRTAR: FUNDIN E LUFTES E VENDOSIM NE
Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme është futur në ditën e 10-të. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se operacionet amerikane kundër Iranit mund të përfundojnë së shpejti.
Foto: Abbas Araghchi
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani nuk e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk po pengon lundrimin.
Nga ana tjetër ai theksoi se transporti i naftës është ngadalësuar jo për shkakun e tyre, por për shkak të sulmeve amerikano izraelite.
“Prodhimi dhe transporti i naftës është ngadalësuar ose ndaluar jo për shkakun tonë, por për shkak të sulmeve dhe agresionit izraelit dhe amerikan kundër nesh”, tha ai.
Perditësime LIVE, 10 mars 2026
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan një telefonatë rreth një ore, gjatë së cilës diskutuan situatën në Iran dhe Ukrainë. Sipas Kremlinit, biseda ishte “një diskutim konstruktiv, shumë i sinqertë dhe profesional”.
Një njësi logjistike e lidhur me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara pranë aeroportit të Bagdadit në Irak është vënë në shënjestër të një sulmi iranian. Sipas raportimeve objektivi ishte kampi i mbështetjes logjistike që shërben për Ambasadën amerikane në Irak. Sulmi dyshohet të jetë kryer nga forca të lidhura me Iranin.
Organizata humanitare “Save the Children” ka bërë të ditur se në dhjetë ditët që nga fillimi i sulmeve në Lindjen e Mesme janë vrarë gati 300 fëmijë në rajon, një shifër që sipas saj përkthehet në më shumë se një fëmijë të vrarë çdo orë.
Presidenti i Turqisë, Erdogan, ka paralajmëruar Iranin që të shmangë çdo veprim provokues, pasi një raketë balistike e lëshuar nga Irani hyri në hapësirën ajrore të Turqisë.
Jemi në ditën e dhjetë që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e para ndaj Iranit, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani dhe duke përshkallëzuar ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me vendet e Bashkimit Evropian për të garantuar furnizimet e nevojshme me naftë dhe gaz, me qëllim stabilizimin e tregjeve energjetike në situatën e jashtëzakonshme të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i lartë iranian ka deklaruar se Irani është i përgatitur për një konflikt të gjatë me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e vazhdimit të sulmeve ndaj vendeve të Gjirit për të ushtruar presion politik.
Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Gjenevë, Jamal Al-Musharakh, deklaroi se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në asnjë sulm kundër Iranit nga territori i Emirateve.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta me Izraelin dhe për një armëpushim të menjëhershëm, me qëllim ndalimin e “të gjitha agresioneve tokësore, ajrore dhe detare izraelite kundër Libanit”, sipas një deklarate të publikuar të hënën nga presidenca libaneze.
Gazetari Artur Bibe i cili ndodhet në Liban, ka raportuar për rrëzimin e një rakete izraelite në një zonë në jug të vendit. Sipas tij kjo raketë la pas katër viktima dhe tre persona të tjerë të plagosur rëndë.
Çmimi i naftës kapërceu për ta parën herë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 nivelin e 100 dollarëve për fuçi, teksa lufta ne Lindjen e Mesme hyri në ditën e dhjetë.
Turqia reagoi pas raketës së dytë iraniane të kapur në hapësirën e saj ajrore. Ndërsa priste një reagim nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, Ministri i Komunikacionit Burhanettin Duran foli në emër të qeverisë.
Mes frikës për sigurinë e tyre, pesë anëtare të skuadrës iraniane të futbollit të femrave janë larguar nga hoteli i ekipit në Australi dhe aktualisht janë të sigurta me policinë, tha një burim për CNN Sports.
Parlamenti i Libanit njoftoi se po e zgjat mandatin e tij me dy vjet dhe po shtyn zgjedhjet parlamentare për shkak të luftës së vendit me Izraelin dhe Hezbollahun.
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar shërbimet e tyre konsullore në Turqinë jugore dhe i kanë kërkuar stafit të tyre diplomatik jo-thelbësor të largohet nga zona “për shkak të rreziqeve të sigurisë”, njoftoi sot Departamenti i Shtetit.
Bashkimi Evropian ka rezerva të mjaftueshme nafte për të përballuar një krizë të mundshme energjetike, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rrisin pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
Një raketë balistike e lëshuar nga Irani është shkatërruar në hapësirën ajrore turke, sipas ministrisë turke të Mbrojtjes.
Raketa u shkatërrua nga mbrojtjet e NATO-s me bazë në Mesdheun lindor, thuhet në deklaratë, duke shtuar se fragmente municionesh ranë në fusha të zbrazëta në Gaziantep, në Turqinë juglindore.
Autoritetet e Katarit kanë arrestuar më shumë se 300 persona për publikimin e imazheve dhe “informacioneve false” gjatë sulmeve të Iranit ndaj shtetit të Gjirit, tha të martën ministria e brendshme e Katarit.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka shkruar Mojtaba Khameneit, për ta përgëzuar për marrjen zyrtarisht të detyrës si lider i ri Suprem i Iranit, sipas Kremlinit.
“Në një kohë kur Irani po përballet me agresion të armatosur, qëndrimi juaj në këtë pozicion të lartë padyshim kërkon guxim dhe përkushtim të madh. Jemi të bindur se ju do ta mbani me nder trashëgiminë e babait tuaj dhe do ta bashkoni popullin iranian përballë sprovave të rënda”, shkroi presidenti.
Televizioni shtetëror i Iranit ka konfirmuar se udhëheqësi i ri suprem i vendit, Mojtaba Khamenei, është plagosur në luftë.
Siç raportohet nga Times of Israel, gjatë transmetimit të lajmit për marrjen e udhëheqjes nga Khamenei, prezantuesit thanë se ai konsiderohet një “xhanbaz”, një term i përdorur “për njerëzit që janë plagosur nga armiku”.