Connect with us

Bota

Rrëmbime dhe atentate/ Rusia krijon strukturë sekrete për atentate dhe operacione jashtë vendit

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia ka krijuar një njësi të re tepër sekrete për operacione të ndjeshme jashtë vendit, përfshirë rrëmbime dhe atentate ndaj figurave të opozitës, sipas një investigimi të publikuar nga The Insider.
Sipas raportit, struktura e re quhet Center 795 dhe u krijua në dhjetor të vitit 2022 brenda Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Rusisë. Njësia përbëhet nga rreth 500 oficerë të përzgjedhur nga shërbime të ndryshme të sigurisë, përfshirë GRU, FSB, FSO dhe edhe nga struktura të lidhura me ish-KGB të Bjellorusisë.
Edhe pse raporton drejtpërdrejt te Shtabi i Përgjithshëm, kjo njësi nuk është pjesë formale e GRU-së. Sipas hetimit, ajo drejtohet nga Denis Fisenko, një ish-anëtar i njësisë elitare Alpha Group.
Baza operative e kësaj strukture ndodhet në Patriot Park, brenda një qendre stërvitjeje të kompanisë së armëve Kalashnikov, e cila kontrollohet nga konglomerati shtetëror Rostec.
Sipas raportimit, financimi i këtij projekti lidhet me drejtuesin e Rostec, Sergey Chemezov, si dhe me bashkëpronarët e Kalashnikov, përfshirë biznesmenin Andrei Bokarev.

Fillimisht, struktura ishte projektuar për operacione në Ukrainë, por më pas misioni i saj u zgjerua për të përfshirë edhe operacione jashtë vendit, si tentativa atentatesh ndaj politikanëve të opozitës dhe gazetarëve kritikë ndaj Kremlinit.
Sipas investigimit të The Insider, disa tentativa atentatesh të lidhura me këtë njësi janë organizuar tashmë dhe aktualisht janë objekt hetimi nga autoritetet përkatëse.

Advertisement