Connect with us

Sport

Gafë e Estupinan, Lazio mposht 1-0 Milanin! Igli Tare ‘tërbohet’ me Rafa Leaon

Milani nuk ka mundur dot t’i afrohet Interit që mban kreun e Serie A, me këta të fundit që u ndalën 1-1 nga Atalanta në ‘San Siro’. Kuqezinjtë e Max Allegrit u mposhtën 1-0 nga Lazio mbrëmjen e të dielës në ‘Olimpico’, sfidë e cila vlente për raundin e 29-të në kampionat.
Bardhekaltrit e Sarrit ishin më kërkues, teksa në minutën e 24-t goditën traun e portës. Vetëm dy minuta më vonë, Marusic dha një pasim të gjatë për Isaksen, i cili përfitoi nga gafa e Estupinan, kontrolloi bukur topin dhe me të majtë nuk e pati të vështirë të ‘thyente’ portierin Maignan.
Paçka rasteve që u paraqitën gjatë ndeshjes, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Lazio siguroi tri pikë të arta përballë Milanit. Te kuqezinjtë nuk munguan nervat, kjo pasi trajneri Allegri vendosi të zëvendësonte Rafa Leaon në minutën e 66-të dhe në vend të tij hodhi në fushë Fullkrug, ndërsa portugezi nuk e pranoi këtë gjë dhe protestoi ashëpr, aq sa as përqafimi i Allegrit nuk ishte i mjaftueshëm për ta qetësuar. Për këtë reagim edhe drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, u filmua i tërbuar në tribunë. Tare vinte si një ish i Lazion në ‘Olimpico’.
Lazio kështu siguron fitoren e dytë radhazi dhe me 40 pikë ngjitet në vendin e nëntë, ndërsa Milani me 60 pikë mbetet në pozitën e dytë, tetë pikë pas Interit kryesues.
Gjithashtu të dielën Como përmbysi 2-1 Romën, duke marrë fitoren e katërt radhazi për t’u ngjitur në vendin e katërt me 54 pikë dhe lënë pas Juven dhe Romën.

Advertisement