Bota
Shfaqet djali sekret i Raffaella Carra/ Eshtë trashëgimtari i vetëm legjitim i pasurisë
Raffaella Carrà ka një djalë të birësuar në fshehtësi, i cili është për këtë arsye edhe trashëgimtari i vetëm legjitim i pasurisë së artistes së madhe italiane, si dhe i të drejtave të imazhit dhe të drejtave të autorit për veprat e saj.
Kjo është ajo që del nga teksti i një urdhri të Gjykatës së Romës të datës 6 shkurt. Emri i burrit është Gian Luca Pelloni Bulzoni, i lindur në Ferrara në vitin 1964, por me banim në Romë, ku drejton shtëpinë botuese “Arcoiris Edizioni Musicali”, pronar i së cilës është.
Më parë sekretari personal dhe menaxheri i Raffaella Carrà, ai ishte ndër njerëzit më të afërt dhe më të dashur për të, së bashku me disa të tjerë. Carrà – e cila vdiq më 5 korrik 2021 – ishte një person shumë diskret dhe shumë pak dihej për jetën e saj private.
Lajmi doli krejtësisht rastësisht nga një mosmarrëveshje ligjore me një kompani spanjolle mbi shfaqjen muzikore skenik “Ballo ballo”, për të cilën Pelloni Bulzoni kishte kërkuar një urdhër ndalimi kundër “prodhimit, shpërndarjes, publicitetit dhe performancës, në çdo formë dhe me çdo mjet”, për shkak të mungesës së pëlqimit të saj.
Gian Luca Pelloni Bulzoni e kishte paraqitur këtë kërkesë në Gjykatën e Romës në cilësinë e tij si trashëgimtar i Raffaella Carrà.
“Apeluesi deklaroi se ai ishte djali i adoptuar dhe trashëgimtari i vetëm legjitim i artistes së njohur”, thuhet në urdhër, “dhe për këtë arsye zotëronte të drejtat për imazhin, zërin dhe emrin e saj (si real ashtu edhe artistik), si dhe të dhënat dhe informacionin rreth jetës së saj personale dhe profesionale, pasi ai zotëronte gjithashtu të drejtat morale dhe të drejtat për të përdorur veprat intelektuale të artistes”.