Aktualitet
Babai i Ervis Martinajt shkon në GJKKO: Djali im është ekzekutuar në Durrës
Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj është paraqitur ditën e sotme në GJKKO pasi është thirrur nga Prokurori për të dëshmuar në procesin lidhur me pronat e të birit. Gjatë fjalës për gazetarët jashtë kamerave, Martinaj ka deklaruar se fatin e djalit të tij e dinë të gjithë përveç medias dhe prokurorisë.
Ndërkohë që ka theksuar se djalin ia kanë vrarë në Durrës.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit,” tha babai i Martinajt.
I pyetur nëse ndihet i interesuar për hetimet e Prokurorisë së qytetit, Martinaj u shpreh se nuk ka për çfarë të interesohet pasi nuk ka fuqi për tu hakmarrë për të birin.
“Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore,” përfundoi Martinaj.
Ervis Martinaj, i cilësuar për vite me radhë si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, ishte një biznesmen i fuqishëm në sektorin e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Ai ishte themelues i kompanive të mëdha si “King Casino” dhe “Albania Baste Live”, duke ndërtuar një perandori financiare që u bë shënjestër e autoriteteve ligjzbatuese për pastrim parash, veprimtari të paligjshme dhe lidhje me botën e krimit të organizuar.
Përveç përfshirjes në biznese të dyshimta, emri i tij lidhet edhe me disa ngjarje kriminale, përfshirë përplasjen me armë në zonën e ish-Bllokut në vitin 2018, ku një person mbeti i vrarë dhe vetë Martinaj u plagos. Prej asaj kohe, ai ishte në qendër të vëmendjes mediatike dhe të hetimeve të vazhdueshme nga policia dhe SPAK.
Martinaj rezulton i zhdukur që prej fillimit të gushtit 2022. Kontakti i fundit i dokumentuar ishte më 8 gusht të atij viti, kur u pa për herë të fundit në një zonë të Tiranës, duke u larguar me një automjet luksoz. Kamera sigurie e kanë filmuar pranë zonës së “Zogut të Zi”, ndërsa që nga ajo ditë, asnjë informacion i besueshëm nuk është dhënë për vendndodhjen apo fatin e tij.
Dy janë pistat kryesore që janë shqyrtuar nga autoritetet: mundësia që Martinaj të jetë vrarë nga grupe kriminale kundërshtare, apo që ai të ketë inskenuar zhdukjen për t’i shpëtuar ndjekjes penale dhe hakmarrjeve. Megjithatë, hetimet nuk kanë arritur të sjellin prova përfundimtare për asnjërën prej tyre, ndërsa familjarët e tij kanë pretenduar se ai është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur.
Pas zhdukjes së tij, SPAK ka nisur një sërë hetimesh financiare dhe ka sekuestruar pasuri të shumta të lidhura me Martinajn dhe të afërmit e tij, përfshirë prona, llogari bankare dhe biznese me vlera që kapin miliona euro.