Bota
LUFTA/ IRANI GODET DEPOT E NAFTES NE KUVAJT
Dronët iranianë kanë sulmuar aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit. Sipas bdullah Al-Rajhi, zëdhënës i Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil, sulmet kishin në shënjestër depot e karburantit të aeroportit, duke shkaktuar një zjarr të madh në zonë.
Izraeli njoftoi se ka goditur fabrikën Tofigh Daru që merret me prodhimin fentanil, një opioid sintetik i fuqishëm, me sa duket i destinuar për një program armësh kimike. Irani konfirmoi sulmin ndaj fabrikës, por këmbënguli se furnizonte vetëm “ilaçe spitalore” të përdorura në operacione.
Ndërkohë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka deklaruar se lufta në Iran do të përfundojë brenda 2-3 javësh, kurse Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se “do të na duhet të rivlerësojmë marrëdhënien tonë me NATO-n”.
Në konfliktin e Lindjes së Mesme, krah Iranit në luftë tashmë është përfshirë dhe Jemen. Izraeli thotë se përsëri ka kapur në ajër një raketë të lëshuar nga Jemeni.
Ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur një “komandant të lartë të Hezbollahut” dhe një “terrorist të rangut të lartë” në dy bastisje të ndara në zonën e Bejrutit.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në Arabia Saudite për kërcënime të mundshme ndaj vendeve ku ata mblidhen, duke theksuar se situata e sigurisë mbetet e ndjeshme.
Në një njoftim të fundit, autoritetet amerikane bënë të ditur se po ndjekin raportet për rreziqe të mundshme ndaj objekteve si hotelet, bizneset amerikane dhe institucionet arsimore, të cilat mund të jenë objektiva të sulmeve.
Alarmi i sigurisë i së martës ritheksoi gjithashtu se punonjësit e qeverisë amerikane janë udhëzuar të qëndrojnë në vend, ndërsa qytetarëve amerikanë u është rekomanduar të ndjekin të njëjtën masë paraprake.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa autoritetet amerikane vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe kërcënimet e mundshme ndaj shtetasve të tyre jashtë vendit.