Shkrime
Mashtrues i paturp/ Gënjeshtra kolosale e Edi Ramës me anëtarësimin në Bashkimin Europian
Nga Petrit Vasili
Në vitin 2018 të gjithë kujtojnë gënjeshtrën kolosale të Ramës që deklaroi hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe dekoroi ambasadorët Adia Sakiqi, Suela Janina, Artur Kuko dhe Dritan Tola.
Sot Rama po vepron po njëlloj duke mashtruar paturpësisht së bashku me buratinin e tij në Ministrinë e Jashtme, ndonëse bëhet fjalë për integrimin europian, thënë shkurt anëtarësimin në BE, që është rruga e vetme e panegociueshme e Shqipërisë së ardhme që shqiptarët të jenë më pak të varfër, më të sigurtë dhe të barabartë përpara ligjit.
Edi Rama e ka kthyer integrimin në një plaçkë tregu propagande, të cilës i nxjerr tym sa herë që i shtrëngohet laku.
Sot Edi Rama nuk ka asnjë tregues suksesi, por një koleksion stërmadh dështimesh të mëdha e të njëpasnjëshme.
Përrallën e Ramës se Shqipëria është gati, por Europa ka ca probleme brenda vetes, nuk e ha më kërkush.
Edhe përrallën se Europa s’ka ç’të bëjë dhe do na pranojë se i duhet për veten e saj, as këtë nuk e ha më askush.
As përrallën tjetër që ne jemi gati për martesë me Europën, por ajo na refuzon, sigurisht që e përbuzin të gjithë.
Situata është shumë e thjeshtë, nëse do të kishte një sukses madhor të vetëm, mjaftonte që Rama ta thoshte dhe s’kishte nevojë për propagandë.
Por “sukseset” e Ramës janë krejt të kundërta me ato që Europa pret.
Rama ka “sukses” se e bëri Shqipërinë narkoshtet, vendin më të korruptuar në Europë, vendin me shpopullimin dhe largimin më të madh në Europë, vendin me zgjedhjet më mizerabël po në Europë, vendin me treguesin e zbatimit të ligjit më të ulët në Europë.
Thënë e gjithë kjo, për çfarë integrimi flet Rama dhe buratini i tij në Ministrinë e Jashtme.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për gënjeshtra të pacipa, por për ndryshime të thella, që janë të pamundura të kryhen nga narkoqeveria e Ramës.
Lojën e Ramës me broçkulla lidhur me integrimin europian, shqiptarët e kanë parë me kohë e me vakt.
E kanë parë Ramën edhe kur mashtronte si karagjoz dhe u jepte dekorata ambasadorëve për gjoja hapjen e negociatave, që nuk ishin hapur fare.
Integrimi nuk arrihet me sjellje ordinere politike, por me seriozitet dhe punë të thellë, jo me korrupsion dhe plaçkitje, me zbatim të ligjit në çdo fushë të qeverisjes.
Një gjë është e qartë: narkoqeveritë si e Ramës, që bëjnë sikur shohin nga perëndimi, por zemrën dhe mendjen e kanë në Lindje, nuk integrohen dot në Europë.