Aktualitet
Çmimet dhe lloji i makinave, pse na dëmton më shumë se gjithë Europa shtrenjtimi i naftës
Çmimi i naftës në vend është shtrenjtuar me rreth 30% në mars, duke u tregtuar me 224 lekë për litër, nga 170-175 lekë për litër në fund të shkurtit. Rritja erdhi pas fillimit të krizës në Lindjen e Mesme, që e çoi treguesin referencë Brent nga 65-70 dollarë për fuçi, në mbi 100 dollarë për fuçi. E ardhmja mbetet tërësisht e pasigurt, me autoritetet e Bashkimit Europian, që kanë paralajmëruar se Europa duhet të përgatitet për një goditje energjetike afatgjatë.
Shqipëria pritet që të goditet më shumë se gjithë Europa për dy arsye kryesore: Arsyeja e parë, çmimet e larta në vlerë dhe shumë të shtrenjta në raport me fuqinë blerëse Së pari, çmimet e naftës në vlerë absolute janë ndër më të shtrenjta në botë. Sipas përditësimit të Global Petrol Price të datës 30 mars, nafta në Shqipëria është e 11-a më e shtrenjta në botë gati e njëjtë me vende si Zvicra, Danimarka, Holanda. Në raport me fuqinë blerëse, nafta është dyfish më e shtrenjtë se rajoni dhe 7 herë më e shtrenjtë se Holanda, që në vlerë e ka naftën gati njësoj sa ne. Arsyeja kryesore e diferencës me rajonin është ngarkesa në taksa, që tek ne është dy herë më e lartë. Mesatarisht, një shqiptar paguan në një litër naftë 1.16 euro taksa, (53% të çmimit final); një qytetar maqedonas 0.58 euro për litër (36% të çmimit final); një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final); një shtetas i Kosovës 0.67 euro, ose 38.5% të çmimit final.
Arsyeja e dytë: 70% e makinave që qarkullojnë në vend janë me naftë, ndër më të lartat në Europë Arsyeja e dytë dhe po njëlloj, në mos më e rëndësishme, është numri i lartë i mjeteve në vend që furnizohen me naftë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) deri në fund të shkurtit, në vend kishte aktive 1.06 milionë mjete. Nga këto, rreth 732 mijë, ose gati 70% e totalit përdorin naftën si lëndë djegëse. Rreth 210 mijë automjete, ose gati 20% përdorin vetëm benzinën, e cila ka pësuar një shtrenjtim minimal në raport me naftën, duke u tregtuar me 181 lekë për litër, nga 173-175 që ishte përpara krizës, me një rritje prej 3-5%. Rreth 84 mijë përdorues i kanë automjetet me gaz, apo 8% e totalit. Edhe gazi i automjeteve është shtrenjtuar dy here në mars, gjithsej me 20 lekë për litër, duke arritur nga 55-60 lekë para krizës në 75 lekë aktualisht (me rritje mbi 30%). Pesha e autoveturave në qarkullim me naftë në Shqipëri është ndër më të lartat në Europë, me këtë të fundit që prej vitesh është orientuar drejt benzinës dhe mjeteve elektrike. Shqipëria renditet e treta në Europë, pas Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës për peshën e lartë të mjeteve që përdorin naftë. Ndryshe nga shtetet e tjera që po e ulin peshën e mjeteve me naftë, në Shqipëri ajo vijon të jetë e lartë. Në 2024-n, në vend, 66% e regjistrimeve të reja ishin me naftë, më e larta në Europë. Po atë vit, në Bashkimin Europian mesatarisht rreth 15% e regjistrimeve të reja ishin makina me naftë. Vendet në renditje pas Shqipërisë, Moldavia dhe Bosnjë Hercegovina e kishin këtë peshë përkatësisht 47% dhe 44%. Mali i Zi uli regjistrimet e reja të makinave me naftë në 27%. Tendenca ka vijuar dhe në tremujorin e parë 2026, ku 60% e regjistrimeve të reja në vend ishin me naftë, sipas DPSHTRR.
E vetmja masë që qeveria shqiptare ka marrë për momentin ishte ulja e akcizës prej 20% në momentin që nafta kaloi 220 lekë/litër, por kjo vetëm sa amortizoi me 9.4 lekë çmimin, që gjithsesi u rrit në 224 lekë. Qeveria riaktivizoi dhe Bordin e Transparencës, por ai po “lufton” me importuesit vetëm për 5-6 lekë për litër, ndërkohë që pritet të rishikojë metodologjinë, por më rritje! Nga ana e saj, qeveria pritet ti gëzohet të ardhurave më të larta në mars, si rrjedhojë e efektit të shtrenjtimit të çmimeve në Tatimin mbi vlerën e shtuar, që paguhet nga konsumatorët në çmimin final.