Connect with us

Kosova

Të shmangen zgjedhjet/ Mustafa kërkon nga partitë të dakordohen për çështjen e presidentit

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë thirrje ndaj partive politike që të arrijnë një marrëveshje për çështjen e presidentit, në mënyrë që të shmangin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Gjatë promovimit të librit të tij “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në”, Mustafa theksoi se presidenti i ri i vendit duhet të jetë i pranueshëm dhe i paanshëm për të gjithë.
“Nëse dëshirojmë zgjidhje, ose nëse jemi të gatshëm, si pozitë ashtu edhe opozitë, të emërojmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Domethënë, pozita dhe opozita duhet të ulen dhe të bien dakord për një personalitet, pa e thjeshtuar këtë proces për dikë që do ta kryente detyrën pa konsensus politik”, u shpreh Mustafa.
Ish-kryeministri u pyet edhe për mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por ai refuzoi të komentojë.
“Do t’ju kërkoj falje, sepse sot kjo është një temë tjetër. Nuk do të doja që çështja që po diskutojmë këtu në Akademi të lidhet me emra konkretë, kush synon dhe kush ka bërë çfarë është më e mira. Mund të shfrytëzojmë ndonjë rast tjetër për të dhënë qëndrimin tim politik”.
Në promovimin e librit, nuk ishte i pranishëm kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por Mustafa shtoi se pjesëmarrja ishte e hapur për të gjithë.
“Për ftesat e këtij libri, kemi pasur ftesë publike, dhe kanë ardhur ata që kanë dëshiruar të marrin pjesë, me të cilët kemi punuar gjatë një periudhe të gjatë”.
Mustafa ishte kryetar i LDK-së për rreth 15 vjet. Ai dha dorëheqje pas rezultatit të dobët të partisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të shkurtit 2021.

Advertisement