Politike
Gonzato: Sulmet e Berishës përpjekje për të dalë nga harresa, nuk ka bllokim të procesit të integrimit
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka reaguar ndaj sulmeve personale në adresë të tij, duke i cilësuar ato si përpjekje për të tërhequr vëmendje nga individë që, sipas tij, “janë lënë në harresë”.
Edhe pse pa folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, duket se deklarata i adresohet kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe ithtarëve të tij, të cilët në mënyrë të herë pas hershme kanë bërë komente të tilla, deri edhe duke përmendur jetën private të diplomatit.
Në një intervistë Gonzato bëri një dallim mes kritikave profesionale dhe sulmeve që prekin jetën private.
Duke iu referuar komenteve që lidhen me jetën e tij personale, përfshirë orientimin seksual, ambasadori u shpreh se këto sulme nuk kanë lidhje me debatin publik dhe janë thjesht përpjekje për të krijuar reagim.
“Ka njerëz që të vetmen mënyrë për të dalë nga harresa e kanë bërjen e komenteve fyese. Në ditët e sotme, për fat të keq, ky lloj qëndrimi shkakton reagime dhe i bën ata përsëri të rëndësishëm”, deklaroi ai.
Gonzato theksoi se nuk i kushton rëndësi këtyre sulmeve dhe se nuk ndjen nevojë të justifikohet për çështje personale.
Ambasadori sqaroi se ndryshe i sheh kritikat që lidhen me performancën e tij në detyrë. Sipas tij, vlerësimet mbi punën dhe kompetencën profesionale janë pjesë normale e rolit publik dhe mund të diskutohen në mënyrë legjitime.
Megjithatë, ai nënvizoi se sulmet që kalojnë në sferën personale nuk kontribuojnë në debatin publik dhe dëmtojnë standardin e komunikimit në diskursin politik dhe mediatik.
Ambasadori i Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka hedhur poshtë pretendimet për një bllokim të procesit të integrimit të vendit, duke i cilësuar raportimet e fundit për veto nga disa vende anëtare si “spekulime”.
Gonzato theksoi se negociatat po vijojnë normalisht dhe se diskutimet mes vendeve anëtare janë pjesë e zakonshme e procesit vendimmarrës në BE.
I pyetur mbi raportimet se disa shtete anëtare kanë penguar ecurinë e procesit, ambasadori u shpreh se nuk bëhet fjalë për një situatë bllokimi, por për një fazë diskutimi dhe vlerësimi.
Ambasadori u ndal edhe te diskutimet në COELA, grupi i punës i Këshillit të BE-së për zgjerimin, duke nënvizuar se bëhet fjalë për negociata konfidenciale.
Gonzato sqaroi se shtetet anëtare nuk vendosin thjesht “po” ose “jo” mbi progresin e Shqipërisë, por diskutojnë standardet përfundimtare që duhet të përmbushen.
Qëllimi, sipas tij, është që reformat të jenë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në kohë. Kjo kërkon kohë dhe analizë të thelluar nga ana e vendeve anëtare.
I pyetur nëse mund të ketë një ndarje të procesit mes Shqipërisë dhe Mali i Zi, Gonzato u shpreh se nuk ka pasur diskutime për një lidhje të tillë.
Ai theksoi se të dy vendet konsiderohen “pararendëse” në procesin e zgjerimit dhe se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë vitit të fundit.
Në përfundim, ambasadori ritheksoi se procesi i integrimit në Bashkimi Evropian mbetet i bazuar në merita individuale.
“Çdo vend vlerësohet mbi bazën e performancës së vet”, u shpreh ai, duke nënvizuar se ritmi i negociatave varet nga progresi konkret në reforma.