Kosova
LVV gjen një vrimë në marrëveshjen e Kosovës me Trump për Bordin e paqes
Teksa partnerët nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë duke nxituar që të vënë në lëvizje Bordin e Paqes, që ka projektuar dhe do të menaxhojë Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vendosur t’i gjejnë “behane” projektligjit për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arbëreshë Kryeziu, derisa e cilësoi “problematik” projektligjin, kërkoi specifikimin e konflikteve ku Bordi i Paqes do të ndërhyjë, duke tentuar të “kufizojë anëtarësinë e vendit të vogël në organizatën e themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, që synon të zgjidhë krizat kudo në botë.
Neni 2, pika 2 e projektligjit të kontestuar për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes përcakton se objektivi kryesor i inciativës së presidentit Trump është promovimi i stabilitetit, rivendosja e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe garantimi i paqes afatgjatë në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Edhe pse fillimisht lindi si nevojë urgjente nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara për të stabilizuar Gazën, mandati i Bordit të Paqes tashmë është shkrirë brenda një strukture universale që nuk liston konflikte të caktuara. Pra, kjo do të thotë se ajo është ndërtuar si një mekanizëm që mund të vihet në lëvizje kudo ku kërkohet ndërhyrje.
Në bazë të ligjit, sapo deputetët të ratifikojnë një marrëveshje ndërkombëtare, ajo bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik, dhe ka përparësi ndaj ligjeve të Kosovës. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse janë “trembur” deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Bordi i Paqes do të diktojë tranzicionin politik dhe rindërtiminin e Gazës, ndërsa Forca Stabilizuese-ku synon të marrë pjesë edhe ushtria e Kosovës-përbën krahun ekzekutiv që do të garantojë armëpushimin dhe mbikëqyrë çmilitarizimin e Hamasit.
Ndryshe, para kësaj “zallamahie parlamentare” nga deputetët e pushtetit, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për ratifikimin e marrëveshjes, duke paralajmëruar se çdo zvarritje rrezikon raportin me Shtetet e Bashkuara.