Bota
Leva strategjike/ Frikë nga kontrolli Iran-Amerikë mbi Ngushticën e Hormuzit
Vendet e Gjirit Persik po shprehin shqetësim se bisedimet mes SHBA dhe Iranit mund të përfundojnë duke forcuar pozicionin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
Sipas raportimeve, diskutimet diplomatike po fokusohen gjithnjë e më pak te programi raketor iranian dhe më shumë te kufizimet e pasurimit të uraniumit dhe roli i Iranit në kontrollin e kësaj ngushtice strategjike.
Analistët paralajmërojnë se kjo qasje mund të rrisë ndikimin e Iranit duke e kthyer Hormuzin në një mjet presioni në negociata, në vend që të kufizohet përdorimi i tij si levë strategjike.
Burime në rajon e përshkruajnë Ngushticën e Hormuzit si një “vijë të kuqe”, duke theksuar se çdo marrëveshje që nuk e adreson këtë çështje mbetet e paplotë për sigurinë rajonale.
Sipas një zyrtari iranian, Hormuzi konsiderohet një “aset strategjik i artë”, që rrjedh nga pozita gjeografike e vendit dhe i jep atij ndikim të drejtpërdrejtë mbi tregjet e energjisë.
Një tjetër burim i lidhur me strukturat e sigurisë iraniane e ka përshkruar ngushticën s një “mjet presioni strategjik”, duke sugjeruar se ajo mund të përdoret në rast përshkallëzimi.
Ndërkohë, tregjet e naftës kanë reaguar me rritje çmimesh pas tensioneve dhe incidenteve detare në zonë.
Ekspertët paralajmërojnë se në vend të zgjidhjes së krizës, bisedimet mund të krijojnë një ekuilibër të brishtë ku Hormuzi mbetet faktor presioni i përhershëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vendet e Gjirit kritikojnë faktin se nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në negociata, pavarësisht se janë ndër më të ekspozuarat ndaj çdo përshkallëzimi në rajon.