Bota
Ligj i fortë/ Turqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Parlamenti turk ka miratuar një ligj të ri që ndalon aksesin në mediat sociale për personat nën moshën 15 vjeç, në një përpjekje për të rritur kontrollin mbi përdorimin e platformave dixhitale nga të miturit.
Sipas këtij ligji, fëmijët nën 15 vjeç nuk do të lejohen të krijojnë llogari në rrjetet sociale, ndërsa platformat dixhitale do të jenë të detyruara të vendosin sisteme të rrepta verifikimi të moshës për përdoruesit e tyre.
Gjithashtu, ligji parashikon masa shtesë për prindërit, të cilëve do t’u ofrohen mjete për të monitoruar kohën që fëmijët kalojnë para ekraneve, si edhe shpenzimet e tyre online. Në rastet e përmbajtjeve të dëmshme apo emergjencave, platformat kryesore të mediave sociale do të kenë detyrimin të ndërhyjnë brenda një ore nga raportimi.
Ligji pritet të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të shtetit.
Ndërkohë, edhe në vende të tjera po shtohen debatet mbi kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. Javën e kaluar, Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi një “ditë pushimi” mujore nga mediat sociale për të rinjtë, me synimin për t’i nxitur ata të kalojnë më shumë kohë në aktivitete reale si sporti dhe leximi.