Connect with us

Aktualitet

TEHERANI NDEZ SIRENAT E MBROJTJES AJRORE

Megjithëse armëpushimi është në fuqi, sistemi i mbrojtjes ajrore në Teheran është aktivizuar mbrëmjen e sotme.
Aeroplanmbajtësja amerikane USS George H.W. Bush ka mbërritur në Lindjen e Mesme, raportojnë mediat amerikane, duke shtuar se njësia forcon praninë ushtarake amerikane në zonë, pasi kishte operuar dhe më pas ishte larguar nga Madagaskari.
Trump thotë se nuk do të përdorë një armë bërthamore në Iran, duke theksuar se SHBA ka arritur objektivat e saj ushtarake në mënyrë konvencionale.

Ai tha se ka urdhëruar marinën detare për të fundosur çdo anije që tenton vendosjen e minave përgjatë Ngushticës së Hormuzit. Po ashtu Trump deklaroi se SHBA ka në kontroll të plotë Ngushticën e Hormuzit.

“Kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të qëllojë dhe fundosë çdo anije, sado e vogël (anijet e tyre luftarake janë të gjitha 159 në fund të detit!), që po vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit”, tha mes të tjerash Trump.

Një zyrtar i lartë i Parlamentit iranian deklaroi se Teherani ka marrë të ardhurat e para nga tarifat e vendosura në Ngushticën strategjike të Hormuzit në kuadër të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

“Të ardhurat e para nga tarifat e Ngushticës së Hormuzit janë depozituar në llogarinë e Bankës Qendrore”, tha nënkryetari i parlamentit Hamidreza Hajibabaei, sipas agjencisë Tasnim.

Edhe media të tjera iraniane raportuan të njëjtën deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ushtria amerikane ka njoftuar se sekuestruar një tjetër cisternë të lidhur me kontrabandën e naftës iraniane. Sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, cisterna është Majestic ‘X’ dhe u sekuestrua në Oqeanin Indian.

Me armëpushimin që vijon, por edhe me skenarin e rikthimit të luftës që nuk është hedhur poshtë, Irani paralajmëroi ashpër ushtrinë amerikane këtë të enjte. Kreu i gjyqësorit iranian, Mohseni Ejei, kërcënoi me pasoja të rënda amerikanët nëse do të përpiqen të kalojnë me forcë nëpër ngushticën e Hormuzit.

“Dje, tre anije u gjunjëzuan në këtë kalim strategjik. Flota e Gardës Revolucionare, me skafet dhe dronët e saj, është në pritë nga shpellat detare të ishullit Farur, duke pritur anijet luftarake amerikane, gati të hapë zjarr mbrojtës dhe të shkaktojë kaos mes pushtuesve”, tha ai sipas mediave iraniane.

Parlamenti iranian dhe Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare po shqyrtojnë së bashku një plan për “kontroll sovran” mbi Ngushticën e Hormuzit. Këtë e bëri të ditur agjencia Mehr që saktësoi se ende nuk është vendosur se kush do të marrë vendimin përfundimtar.

Advertisement