Aktualitet
“Tirana e vogël” në Britani/ Media britanike përshkruan ndikimin e grupeve shqiptare
Media britanike Metro ka publikuar një artikull mbi një video të shpërndarë në TikTok, ku pretendohet se shfaqet një bandë shqiptare duke bastisur një shtëpi të përdorur për kultivimin e kanabisit.
Sipas artikullit, pamjet tregojnë persona të maskuar që përdorin skanerë infra të kuq në zona të zakonshme banimi për të identifikuar burimet e nxehtësisë nga llambat e rritjes së kanabisit. Pasi lokalizojnë objektivin, ata hyjnë brenda dhe shfaqen para kamerës nën ritmet e një kënge “trap”, ndërsa në përshkrim përdoren mesazhe provokuese, duke lënë të kuptohet se po grabisin ambientin.
Në vijim, videoja fokuson një burrë të tronditur, i veshur thjesht, që dyshohet se jeton ose punon në atë banesë, ndërsa autorët shihen duke mbajtur bimë kanabisi në duar. Artikulli thekson se këto “shtëpi bari” janë të pajisura me teknologji të avancuar për ndriçim dhe ngrohje, duke e kthyer aktivitetin në një burim fitimi të konsiderueshëm.
Prona në fjalë nuk është identifikuar, por bazuar në gjurmët online, dyshohet se videoja është filmuar në West Yorkshire. Postime të tjera nga i njëjti profil tregojnë skena të ngjashme, ku persona të maskuar hyjnë në banesa përmes dritareve ose vëzhgojnë objektiva të mundshëm. Në disa prej pamjeve shfaqen simbole shqiptare dhe slogane në shqip, ndërsa muzika përmban tekste me përmbajtje të dhunshme, pa u evidentuar armë në video.
Artikulli ndalet edhe te një tjetër grup në lindje të London. Në zonën Barking, përmendet grupi Hellbanianz, i cili ka publikuar video ku shfaqen armë, para, ora luksoze dhe makina sportive. Sipas medias, disa prej anëtarëve janë identifikuar dhe dënuar nga autoritetet.
Po ashtu, përmendet një rrjet kriminal në Southgate, i lidhur me trafikim njerëzish dhe aktivitete droge. Burime lokale citojnë se zona njihet ndryshe si “Tirana e vogël”, për shkak të ndikimit të madh të grupeve kriminale shqiptare, të cilat akuzohen për kontroll territori, zhvatje dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Në fund, artikulli thekson se sipas autoriteteve britanike, këto grupe janë të përfshira në trafikun e kokainës që hyn në Mbretërinë e Bashkuar nga Amerika Latine dhe që përbën një treg me vlerë miliardëshe, duke u kthyer në një burim të fuqishëm financiar për zgjerimin e aktivitetit të tyre kriminal.