Connect with us

Sport

Serie A/ Shumë zhurmë për asgjë, Milani dhe Juventusi barazojnë pa gola! Torino ndal 2-2 Interin

ITALI – Serie A e futbollit zhvilloi këtë të dielë katër nga ndeshjet e raundit të 34-t. Milani dhe Juventusi barazuan pa gola në kryendeshjen e kësaj fundjave, ndërsa Interi u ndal në barazim 2-2 në Torino, por zikaltërit janë me ‘një dorë’ te titulli kampion në Itali.
Në ‘San Siro’ Milani dhe Juventusi patën frikë të sulmonin me të gjitha forcat dhe ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura (0-0). Vlen të theksohet një gol i anuluar për ‘Zonjën e Vjetër’, i shënuar nga Thuram në minutën e 36-të. Francezi ishte në pozicion jashtë loje pas konfirmimit nga VAR-i.
Në pjesën e dytë Saelemaekers goditi traun e portës për Milanin. Më i miri në fushë ishte mesfushori i Juves, Manuel Locatelli. Dhjetë minuta në fundin e ndeshjes mori edhe Edon Zhegrova. Për të katërtën herë në pesë ndeshjet e fundit, Milani dhe Juventusi barazojnë pa gola.

Në Torino, vendasit ndalën 2-2 Interin. Zikaltërit kaluan në epërsi në minutën e 23-të, kur Marcus Thuram realizoi me kokë pas një harkimi të saktë nga Federico Dimarco. Në pjesën e dytë Interi e thelloi avantazhin me Yann Bisseck.

Torino reagoi shpejt dhe rihapi garën në minutën e 70-të. Giovanni Simeone realizoi një gol të bukur me parabol për 1-2. Nikola Vlasic ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 79-të, duke barazuar në 2-2 me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm të portës.

Në ndeshjet e tjera të ditës, Fiorentina dhe Sassuolo barazuan 0-0, teksa Como fitoi 0-2 në Genoa.

Katër raunde nga fundi i sezonit, Interi kryeson renditjen me 79 pikë, dhjetë më shumë se ndjekësit e Napolit. Me shumë gjasë raundin që vjen zikaltërit do zyrtarizojnë titullin e 21-të në histori.

Advertisement