Shkrime
EPOKA E KAOSIT, OPINION NGA RED VARAKU
Nga Hegjemonia Unipolare te Çrregullimi Sistemik – Nga Red Varaku
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, SHBA doli si fuqia absolute e sistemit ndërkombëtar. Për herë të parë në historinë moderne, një shtet zotëronte një epërsi të pakonkurrueshme në tri dimensione njëkohësisht, ushtarak, ekonomik dhe teknologjik.
Dukej sikur historia kishte hyrë në një epokë unipolare, ku rendi global do të formësohej sipas interesave dhe vlerave amerikane.
Por pikërisht këtu nis sfida. Sipas Zbigniew Brzezinski rreziku më i madh për një superfuqi nuk është kthimi në një hegjemoni boterore, por konsumimi i vetvetes nga pesha e perandorisë.
Një hegjemoni globale, sa më shumë shtrin ndikimin, aq më shumë zgjeron vijat e saj të konfliktit, aq më shumë harxhon kapital politik, ekonomik dhe moral, dhe aq më shumë prodhon rezistencë kundër vetes.
Me fjalë të tjera, forca absolute mbart brenda vetes farën e dobësimit të ardhshëm.
Brzezinski parashikonte se rendi unipolar nuk do të mbetej i pakontestuar. Dominimi i njëanshëm amerikan do të nxiste, herët a vonë, formimin e një kundër-koalicioni strategjik. Jo domosdoshmërisht një aleancë klasike, me traktate formale dhe ideologji të përbashkët, por një afrim fuqish të mëdha të bashkuara nga një interes themelor, thyerja e rendit amerikan dhe zbehja e hegjemonisë së Uashingtonit.
Sot, ky konfigurim po merr formë para syve tanë.
Kina përfaqëson motorin ekonomik-industrial të shekullit XXI, një fuqi prodhuese, teknologjike dhe financiare me ambicie globale.Rusia mbetet një fuqi ushtarake-bërthamore me kapacitet të lartë destabilizues dhe me një vizion të qartë për të sfiduar arkitekturën e sigurisë të ndërtuar nga Perëndimi.
Sigurisht, ata nuk janë aleatë natyralë në kuptimin ideologjik dhe as nuk i bashkon një filozofi politike e përbashkët,por ajo që i bashkon është diçka më e fortë në gjeopolitikë, interesi strategjik.
Njëri kërkon të zëvendësojë epërsinë ekonomike amerikane.
Tjetri kërkon të godasë epërsinë ushtarake dhe politike amerikane. Së bashku, ata formojnë boshtin më serioz sfidues ndaj rendit të Pasluftës së Ftohtë.
Dhe kjo na çon te pika më kritike.
‘Kur një rend i vjetër fillon të shembet dhe një rend i ri ende nuk ka lindur, sistemi ndërkombëtar hyn në fazën më të rrezikshme: fazën e çrregullimit sistemik’, ( Brzezinski).
Kjo është periudha kur rregullat humbin forcën, aleancat bëhen të paqëndrueshme, luftërat rajonale marrin dimension global dhe incidentet e vogla mund të prodhojnë pasoja të mëdha strategjike.
Është faza ku historia lëviz më shpejt se diplomacia.
Në thelb, pyetja tashmë nuk është nëse rendi amerikan po sfidohet, sepse kjo tashmë po ndodh.
Pyetja reale është:
A po lind një rend i ri botëror apo po hyjmë në një epokë kaosi ku askush nuk do të jetë mjaftueshëm i fortë për të vendosur rend dhe ligj?