Kosova
Kosova shkon në zgjedhje/ Kurti: Kompromisi nuk është pazar, por respektim i votës së qytetarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment vendimtar për funksionimin institucional.
Ai e nisi fjalën duke rikujtuar afatin kushtetues që po përfundon dhe pasojat që mund të ketë dështimi për zgjedhjen e presidentit.
“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve. Pra pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e Qeverisë.”
Kurti hodhi poshtë pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka shmangur përgjegjësinë për zgjidhjen e situatës.
“Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme.”
Duke folur për nevojën e një marrëveshjeje politike, ai theksoi se kompromisi është i domosdoshëm, por duhet të jetë në përputhje me parimet demokratike dhe jo rezultat i pazareve politike.
“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por, kompromisi në një demokraci, duhet të jetë demokratik. Kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike.”
Sipas tij, një kompromis i vërtetë duhet të mbështetet në respektimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe përgjegjësinë që rrjedh nga përfaqësimi qytetar.
“Kompromisi i vërtetë, ai i cili u shërben qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zgjedhjeve, pra respektin e vullnetit të qytetarëve dhe peshës politike që ata i kanë dhënë secilit subjekt politik dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedh nga angazhimi publik dhe nga fakti se je përfaqësues i zgjedhur i popullit.”
Kurti theksoi se respektimi i rezultatit zgjedhor nuk duhet të interpretohet si nënshtrim, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, opozita e përdor këtë term.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet, rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim, një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj. Nëse ka një nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e cilit subjekt politik, duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare.”
“Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës nënshtrim’, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale”, u shpreh ai.