Aktualitet
Eksploziv pranë zonës turistike/ Dy personat e dyshuar “zhduken” nga vendi i ngjarjes
Një sasi lënde plasëse eksploziv është zbuluar në zonën e bregdetit të Himarës nga policia vendore.
Dy persona ende të paidentifikuar janë parë pranë lëndës shpërthyese dhe u larguan para se uniformat blu të ndërhynin.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Gjiri i Akuariumit”, (foto kryesore), pranë fshatit Vuno.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori, pasi në fshatin Vuno, në vendin e quajtur “Gjiri i Akuariumit”, 2 shtetas që dyshohet se po peshkonin janë larguar sapo kanë vënë re shërbimet e Policisë. Në vendin ku ishin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde shpërthyese që dyshohet se përdorej për peshkim. Punohet për identifikimin dhe kapjen e këtyre 2 shtetasve”, bëri sot (28 prill) me dije Policia e Vlorës.
Hetimet po kryhen bashkë me prokurorinë vendore, ndërsa paraprakisht dyshohet se lënda plasëse përdorej për të peshkuar ilegalisht.
“Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.