Connect with us

Politike

Balla mesazh të fortë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Gazetaria në frontin e betejës kundër censurës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar sot në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, duke vlerësuar rolin e gazetarëve dhe medias në shoqëri. Përmes një postimi në rrejtet sociale, Balla ka theksuar rëndësinë e profesionalizmit dhe përgjegjësisë në informimin e publikut, veçanërisht në një kohë sfidash për gazetarinë e pavarur.

“Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, i shprehim respekt gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilët bëjnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi detyrën e informimit të publikut, duke ushtruar kontroll dhe bërë transparencë mbi veprimtarinë e pushteteve të tjera. Në një kohë dezinformimi dhe presioni në rritje ndaj gazetarisë së pavarur në mbarë botën, raportimet profesionale janë më jetike se kurrë.Liria e shtypit është një gur themeli i demokracisë”, shkruan Balla.

Kjo ditë, e shpallur në vitin 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shënohet çdo 3 maj në mbarë botën dhe synon të promovojë lirinë e shprehjes, të mbrojë mediat e pavarura dhe të rikujtojë qeveritë për detyrimin që kanë ndaj respektimit të kësaj të drejte themelore.

Ndërsa këtë vit shënohen 33 vite nga vendosja e saj, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit vjen në një kontekst global ku mediat vijojnë të përballen me sfida serioze, përfshirë censurën, presionet politike dhe ekonomike, si dhe përhapjen e dezinformimit. Pavarësisht këtyre vështirësive, roli i gazetarisë së lirë dhe të pavarur mbetet thelbësor për funksionimin e demokracisë dhe garantimin e transparencës në qeverisje.

Advertisement