Aktualitet
Policia bilanc për prillin: 90 operacione, 571 të arrestuar, zbardhen 14 krime, sekuestrohen armë e drogë
Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e muajit prill, duke raportuar një intensifikim të aksioneve në të gjithë vendin, me 90 operacione të zhvilluara dhe 571 persona të arrestuar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij muaji janë zbardhur 14 ngjarje kriminale dhe janë parandaluar 17 të tjera, ndërsa janë sekuestruar dhjetëra armë dhe materiale të rrezikshme, përfshirë 33 armë zjarri, granata, silenciatorë dhe lëndë shpërthyese.
Në luftën kundër narkotikëve, janë sekuestruar rreth 10 kg kanabis, mbi 2 mijë fara kanabisi, 1.5 kg kokainë dhe tableta MDMA, si dhe janë asgjësuar fidanë narkotikë.
Paralelisht, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë goditur 15 raste që lidhen me mashtrim kompjuterik, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.
Gjithashtu, janë finalizuar 13 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe 12 operacione kundër shfrytëzimit për prostitucion, si dhe 2 operacione për goditjen e transportit të paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në fokus ka qenë edhe lufta ndaj lojërave të fatit, ku janë zbuluar 23 ambiente të paligjshme, si dhe janë goditur 156 raste të ndërtimeve pa leje dhe 3 raste të ndotjes së ajrit.
Në rrugët e vendit, Policia Rrugore ka arrestuar 304 drejtues mjetesh, nga të cilët 170 për drejtim në gjendje të dehur dhe 134 pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë vendosur 93 mijë e 645 masa administrative.
Ndërkohë, Policia Kufitare ka evidentuar 40 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 5 raste me dokumente të falsifikuara dhe 13 raste të trafiqeve të paligjshme.