Connect with us

Kronike

Aksidenti tragjik në Durrës, fëmija i tretë jashtë rrezikut për jetën

Burime nga Spitali i Traumës kanë bërë me dije për mediat se fëmija i përfshirë në aksidentin tragjik të Durrësit, ku humbën jetën dy fëmijë të tjerë, është jashtë rrezikut për jetën.

I mituri i plagosur pritet të kalojë në pavion dhe do të vijojë të ndiqet për të trajtuar dëmtimet e marra.

Fëmijët ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, humbi kontrollin e makinës duke i marrë përpara.

Pas këtij momenti, 57-vjeçari ka dalë menjëherë prej mjetit “Benz” duke e braktisur makinën dhe duke ikur në mes të lagjes me vrap. Shoferi i dehur nuk ka tentuar t’u jap ndihmën e parë fëmijëve.

Në total në vendngjarje ndodheshin 4 fëmijë, dy prej të cilëve humbën jetën pas përplasjes, një i tretë u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ndërsa i katërti i shpëtoi mrekullisht aksidentit.

Policia e Shtetit ka dalë sot me një njoftim më të zgjeruar lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshme në lagjen 15, ku një automjet me drejtues Nikoll Radaçi përplasi për vdekje 2 fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër të mitur.

Blutë konfirmojnë zyrtarisht se shoferi 57-vjeçar ka qenë në gjendje të dehur teksa ngiste makinën dhe për pasojë ka humbur kontrollin, duke marrë përpara të miturit, 2 prej të cilëve humbën jetën në vend.

Policia sqaron edhe se Nikolla Radaçi rezulton të ketë qenë një shofer që është ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit që i mori jetën 2 fëmijëve, i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksonuar edhe më parë për për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë.

Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtori i policisë qarkut Durrës, Afrim Tafa. Në vend të tij është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:

-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.

Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje  për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast

Advertisement