Connect with us

Aktualitet

Fëmijët nuk kanë ku të luajnë/ Trotuaret, hyrjet e pallateve dhe rrugicat janë kthyer në “kënde lojërash” të detyruara

Nga Arben Llangozi

Ngjarja tragjike në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë, është e rëndë dhe e dënueshme. Përgjegjësia ligjore e personit që shkaktoi aksidentin duhet të shkojë deri në fund, por kritika nuk mund të ndalet vetëm te individi.
Kjo ngjarje ngre pyetje më të mëdha për shtetin, shoqërinë dhe përgjegjësinë kolektive. Pse fëmijët luajnë në trotuare dhe pranë rrugëve? Pse prindërit shpesh detyrohen ose zgjedhin t’i lënë fëmijët pa mbikëqyrje të mjaftueshme? Pse shteti dhe pushteti vendor nuk kanë krijuar hapësira të sigurta, parqe dhe kënde lojërash për fëmijët?
Në shumë lagje, fëmijët nuk kanë ku të luajnë. Trotuaret, hyrjet e pallateve dhe rrugicat janë kthyer në “kënde lojërash” të detyruara. Ndërkohë, prindërit rrinë në lokale duke shijuar pijet, fëmijët lëvizin pa kujdes dhe institucionet kujtohen vetëm pasi ndodh tragjedia.
Ky nuk është një rast i izoluar. Është pasojë e një realiteti që e shohim çdo ditë, mungesë sigurie, mungesë hapësirash publike, mungesë kontrolli nga prindërit dhe mungesë përgjegjësie institucionale.
Fëmijët nuk duhet të rriten duke luajtur në trotuare, mes makinave dhe rreziqeve. Një shtet që nuk garanton hapësira të sigurta për ta, nuk mund të quhet plotësisht garant i jetës dhe i mirëqenies së qytetarëve të tij.
Drejtësia duhet të veprojë për këtë rast, por shoqëria dhe institucionet duhet të nxjerrin mësim përpara se tragjedi të tjera të përsëriten.
Advertisement