Kronike
Vrasja e Rexhep Ismailit/ Kush është Viktor Ruci, objektivi i autorëve të krimit në Sarandë
Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i ndodhur mbrëmjen e shkuar në Sarandë, ku u vra me armë zjarri Rexhep Ismaili. Dyshohet se 66-vjecari Rexhep Ismaili nuk ishte objektivi kryesor, se përse një grup të rinjsh shkoi në lokalin e tij.
Sipas burimeve paraprake, gjashtë të rinjtë, shkuan rreth orës 21:28 tek lokali në kryqëzimin e rrugës Sarandë- Himarë, pasi kishin informacion se aty ndodhej 50-vjeçari Tori Ruci alias Viktor Ruci, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej shumë vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Ruci, një person me precedentë të shumtë penalë që prej fillimit të viteve 2000, i përfshirë së fundmi edhe në një grup trafiku droge në Sarandë. Ndonëse u ndalua në shkurt të këtij viti për një dënim të vitit 2019, ai u lirua nga qelia më 12 mars 2026. Mësohet se, një prej të rinjve të përfshirë dje në ngjarje, kishte mosmarrëveshje me Rucin për çështje pronësie lidhur me një lokal në zonën e bregdetit dhe madje ishte konfliktuar me të.
Si ndodhi vrasja e Ismailit?
Vrasja e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili në Sarandë ka ndodhur pas një tentative për të rrëmbyer një person tjetër. Mësohet se, rreth 10 persona kanë mbërritur në lokalin e karburantit në pronësi të Ismailit duke kërkuar një individ me të cilin kishin konflikte pronësie. Ismaili ka ndërhyrë si ndërmjetës, duke deklaruar se personi që ata kërkonin ishte ‘në shtëpinë e tij’ dhe nuk mund të prekej. Pas kësaj mbrojtjeje, situata ka degraduar në dhunë fizike dhe përdorimin e armës, duke i marrë jetën pronarit të pikës. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por kanë braktisur aty një prej automjeteve të tyre. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për identifikimin e grupit të përfshirë, duke u bazuar edhe në mjetin e mbetur në vendngjarje.