Connect with us

Bota

Shefi i OKB-së qetëson për hantavirusin: Nuk është një tjetër Covid

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus u përpoq t’i sigurojë banorët e Tenerife-s se rreziku i infeksionit është i ulët përpara mbërritjes së anijes turistike ku shpërtheu virusi.

Ai theksoi se “ky nuk është një tjetër Covid” dhe se nuk kishte pasagjerë simptomatikë aktualisht në bordin e MV Hondius. Kroçera pritet të mbërrijë në portin e Granadillës të dielën, duke ngjallur shqetësim tek vendasit.

“E di që jeni të shqetësuar,” u tha Ghebreyesus banorëve të Tenerife-s.

“E di që kur dëgjon fjalën ‘shpërthim’ dhe shikon një anije të lundrojë drejt brigjeve të tua, shfaqen kujtime që asnjëri prej nesh nuk i ka qetësuar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment të vetëm. Por kam nevojë që të më dëgjoni qartë: ky nuk është një tjetër Covid. Rreziku aktual i shëndetit publik nga hantavirusi mbetet i ulët.

Anija pritet të ankorohet në Ishujt Kanarie diku midis orës 04:00-06:00 GMT të dielën, tha të shtunën Ministrja spanjolle e Shëndetësisë Mónica García.

Pasagjerët e saj do të mbahen në anije dhe do të jenë në gjendje të nisen vetëm me anije më të vogla kur të ketë një fluturim riatdhesimi që i pret në pistë.

Zyrtarët kanë thënë se janë planifikuar fluturime për t’i kthyer ata në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Irlandë. BE-ja po dërgon dy aeroplanë të tjerë për qytetarët e mbetur evropianë.

Gjashtë raste janë konfirmuar midis pasagjerëve të anijes, përfshirë një nga tre që vdiqën ndërsa anija holandeze po lundronte nga Amerika e Jugut.

Advertisement