Kronike
Kishte mbushur furgonin “plotë” me kokainë, shqiptari përplas policinë gjatë arratisjes
Policia italiane ka arrestuar një 30-vjeçar shqiptar, i cili u kap me lëndë narkotike të gatshme për shitje.
Sipas mediave italiane, ai ishte prej kohësh nën hetim nga autoritetet, pasi dyshohej se shpërndante drogë në sasi të konsiderueshme në zonën e Riminit, duke përdorur një furgon të bardhë tip Fiat Doblo.
Oficerët i bënë shenjë automjetit të ndalonte dhe u identifikuan si pjesëtarë të Policisë së Shtetit italian. Fillimisht, 30-vjeçari ngadalësoi shpejtësinë, por më pas përshpejtoi papritur, duke goditur një prej efektivëve dhe duke u përplasur me barrierën mbrojtëse dhe makinën e policisë para se të largohej me shpejtësi nga vendngjarja.
“Tre ekipet e Skuadrës Fluturuese të përfshira në operacion filluan menjëherë ndjekjen e të arratisurit, i cili, duke kaluar me shpejtësi trafikun e qytetit dhe duke u angazhuar në manovra që ishin të rrezikshme për sigurinë e përdoruesve të rrugës, përfundoi në Via Flaminia Conca, ku, pasi goditi patrullat e hetuesve, humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me dhunë në një mur të ulët. Pavarësisht goditjes së fortë, i dyshuari u përpoq të ikte në këmbë, por u kap dhe u arrestua shpejt”, informon media italiane.
Gjatë kontrollit në banesën e tij dhe të bashkëshortes, policia gjeti në dhomën e gjumit mbi 1 kilogram kokainë dhe 35 gramë hashash, si edhe materiale të ndryshme të përdorura për paketimin e drogës.
Brenda furgonit Fiat Doblo të përdorur nga i arrestuari, autoritetet zbuluan edhe një ndarje të fshehtë me kyç mekanik, e cila dyshohet se përdorej për transportin e lëndëve narkotike ose mallrave të tjera të paligjshme.
30-vjeçari u dërgua në burgun lokal, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila nuk rezulton me precedentë penalë, po hetohet në gjendje të lirë për posedim të lëndëve narkotike.
Policia sekuestroi gjithashtu furgonin, një motoçikletë Africa Tëin dhe një automjet Audi A6, si dhe një shumë parash të gjetura gjatë operacionit.