Aktualitet
Protesta e PD/ Nën hetim 3 italianë, eksperti i kriminalistikës: 2 prej tyre nuk figurojnë në TIMS, janë mercenarë të paguar për të kryer akte dhune
Tre prej gjashtë personave të vënë nën hetim nga protesta e fundit (8 Maj) e organizuar nga Partia Demokratike, janë shtetas italianë kryesisht. Ata po hetohen për kryerjen e akteve të dhunës në tubimin e Sali Berishës, kryesisht për hedhjen e molotovëve në drejtim të forcave të Policisë së Shtetit.
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço në studion e ‘Real Story’ tha se këta të rinj të ardhur nga Italia, Fabio Perabello 23 vjeç, George Cau 25 vjeç dhe Houssem Bousrih 24 vjeç, janë pjesë e grupeve mercenare e janë paguar për të kryer akte dhune.
Karamuço u shpreh se 2 prej tyre nuk figurojnë në sistemin TIMS, duke ngritur dyshime për shkelje të kufirit tokësor dhe qëndrim të paligjshëm në Shqipëri, ndërsa një tjetër ka hyrë nga Kosova. Policia ka marrë tabulatet telefonike dhe po verifikojnë itinerarin dhe kontaktet e tyre.
“Po hetohet qëndrimi i paligjshëm, shkelja e kufirit tokësor; janë disa rrethana që policia ka ngritur dyshime. Dy prej italianëve nuk dalin në TIMS, njëri ka hyrë nga Kosova. Njëri prej tyre ka emër arab. Nga të dhënat që na referohen, di të them që nuk kam parë turistë me maska duke bërë veprime të dhunshme.
Ka një mosrakordim mes këtyre personave; përpara deklarimeve zyrtare me shkrim ka pasur deklarime që edhe mund të jenë paguar, por policia po heton si kanë ardhur dhe kush i ka futur në turmë. Ka një pikëpyetje që po hetohet mbi itinerarin e tyre; janë marrë edhe tabulatet se me kë kanë komunikuar. Italianët janë kapur për veprime të dhunshme ndaj policisë; janë filmuar dhe fotografuar. Në bindjen time janë pjesë e atyre grupeve, por duhet të hetojë policia. Janë pjesë e grupeve që bëhen mercenarë shumë lehtë, marrin pagesa dhe bëhen mercenarë për të kryer akte dhune”, tha Karamuço.