Aktualitet
Shqipëria po “tkurret”/ 2026 nis me më shumë vdekje sesa lindje
Shqipëria po përballet me një alarm demografik. Shifrat e lindjeve, vdekjeve dhe martesave të tremujorit të parë të vitit 2026 evidentojnë vijimin e sfidave që lidhen me zhvillimet natyrore të popullsisë në vendin tonë.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se vendi ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar një bilanc natyror negativ të popullsisë.
Gjatë tremujorit të parë lindën 5.146 foshnje dhe u regjistruan 5.514 vdekje duke mbizotëruar me 368 më shumë. Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, lindjet shënuan një rritje të lehtë prej 1 %, ndërsa vdekjet ranë me 7,4 %, çka tregon një përmirësim relativ të treguesve demografikë.
Qarku i Tiranës vijon të mbajë peshën kryesore demografike në vend, me numrin më të lartë të lindjeve dhe vdekjeve, përkatësisht 2.438 lindje dhe 1.422 vdekje. Ndalur sipas qarqeve të tjera, këtë ritëm të lindjeve e kanë mbajtur qytetarët beratas me një rritje prej 14.5% ndërsa më pak fëmijë janë lindur në Gjirokastër Gjirokastër me 23,4 %, vetëm 59 lindje. (grafik)
Për vdekjet, rritja më e madhe u regjistrua në Elbasan me 3,2 %, ndërsa ulja më e fortë në Kukës me 28,3 %. Treguesit e publikuar për tremujorin e parë të vitit 2026 japin një sinjal të qartë se sfida demografike mbetet një nga problemet më të mëdha afatgjata të Shqipërisë.
Nëse ritmet e ulëta të lindjeve dhe emigracioni vijojnë në të njëjtën linjë, ehde institucionet ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore kanë paralajmëruar se vendi mund të përballet me pasoja të forta sociale dhe ekonomike në vitet e ardhshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.