Connect with us

Bota

Starmer sfidon kritikët: Do të vazhdoj të udhëheq qeverinë

Kryeministri britanik Keir Starmer ka refuzuar thirrjet në rritje për dorëheqje, duke deklaruar para kabinetit të tij se do të vazhdojë të udhëheqë qeverinë, pavarësisht krizës politike që ka përfshirë Partia Laburiste.

“Vendi pret që ne të vazhdojmë të qeverisim. Kjo është ajo që po bëj unë dhe ajo që duhet të bëjmë si kabinet”, deklaroi Starmer. Ai pranoi se 48 orët e fundit kanë qenë “destabilizuese” për qeverinë, duke paralajmëruar se situata ka sjellë edhe pasoja ekonomike për vendin dhe familjet britanike. Në një deklaratë sfiduese, Starmer theksoi se procedura zyrtare për sfidimin e liderit të Partisë Laburiste “nuk është aktivizuar”, ndërsa insistoi se do të vazhdojë në detyrë. Sipas raportimeve, të paktën 78 deputetë laburistë kanë kërkuar largimin e tij ose caktimin e një afati për dorëheqje.

Pakënaqësitë ndaj Starmer janë shtuar pas humbjeve të rënda të laburistëve në zgjedhjet lokale të javës së kaluar, si dhe polemikave të mëhershme për trajtimin e emërimit të Peter Mandelson. Kriza u thellua edhe më shumë pasi anëtarja e parë e qeverisë dha dorëheqjen. Miatta Fahnbulleh, e cila mbante postin e ministres për Devolucionin, Besimin dhe Komunitetet, i kërkoi publikisht Starmer të caktojë një afat për largimin e tij.

“Ju, Kryeministër, keni humbur besimin e publikut. Vendi ka nevojë për ndryshim të thellë dhe qytetarët nuk besojnë se ju mund ta udhëhiqni këtë ndryshim”, deklaroi ajo. Megjithatë, disa anëtarë të kabinetit dolën në mbështetje të Starmer. Ministri i Punës dhe Pensioneve, Pat McFadden, tha se në mbledhjen e kabinetit pati “shumë deklarata mbështetjeje” për kryeministrin. Nga ana tjetër, deputetja laburiste Paulette Hamilton kritikoi qëndrimin e tij, duke thënë për BBC se “duket si një njeri kokëfortë që nuk dëgjon”. Në një fjalim emocional të mbajtur të hënën, Starmer mori përgjegjësinë për humbjet zgjedhore dhe premtoi se do të realizojë “ndryshimin për një Britani më të fortë dhe më të drejtë”. “E di që kam dyshues dhe e di që duhet t’u provoj se e kanë gabim – dhe do ta bëj”, deklaroi ai.

 

 

Megjithatë, shumë deputetë laburistë vijuan të kërkojnë largimin e tij. Deputetja Lorraine Beavers deklaroi se fjalimi i Starmer nuk tregoi “shkallën e ndryshimit” që kërkohet për të rindërtuar besimin publik. Ndërkohë, deputetja Catherine West tha se po mbledh firma për të kërkuar zgjedhjen e një lideri të ri të Partisë Laburiste në shtator. Në mesin e emrave që po përmenden si alternativa të mundshme për drejtimin e partisë është edhe kryebashkiaku i Manchester, Andy Burnham, i cili po fiton mbështetje në rritje brenda laburistëve. Mbështetje për rikthimin e tij në Parlament ka shprehur edhe kryebashkiaku i Londër, Sadiq Khan. Edhe Angela Rayner ka pranuar se strategjia aktuale e partisë “nuk po funksionon”, duke sugjeruar nevojën për ndryshime të mëdha në udhëheqje. Sipas rregullave të Partisë Laburiste, një sfidë formale për lidershipin kërkon mbështetjen e të paktën 20% të deputetëve laburistë në Parlament.

Advertisement