Politike
Shqipëria nuk do të rinovojë marrëveshjen e migracionit me Italinë? Ministri Hoxha: U keqkuptua
Pas intervistës së dhënë nga Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha, për Euractiv në lidhje me marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për qendrat e emigrantëve në Gjadër, është bërë një reagim nga ky i fundit i cili sqaron se intervista është keqkuptuar.
Media Euractiv shkruan se sipas ministrit Hoxha: “Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian. Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje”.
Hoxha ka sqaruar se përgjigjja e dhënë prej tij ka qenë thjeshtë “ për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet”, që është nxjerrë nga konteksti.
“Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”
Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.
Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin.
Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti.
Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, ka shkruar Hoxha në rrjetet sociale.