Aktualitet
2 vjet nga vrasja e efektivit të “Shqiponjave”, 28 vjeçari shpallet “Dëshmor i Atdheut”
Novruz Cenalia, efektivi 28 vjeçar i Forcave “Shqiponja” në Fier”, është nderuar me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Lajmin e ka dhënë sot kryepolici i Fierit, drejtues Erion AHmeti, në ceremoninë përkujtimore në 2 vjetorin e vrasjes së Novruzit.
Në fshatin Baltëz të Fierit këtë të mërkurë ishin familjarë dhe të afërm të policit, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti, kolegë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe qytetarë që iu bashkuan homazheve në nder të efektivit të rënë në detyrë.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, pjesëmarrësit vendosën kurora me lule pranë varrit të Novruz Cenalias, duke kujtuar jo vetëm aktin e tij të sakrificës, por edhe vlerat njerëzore e profesionale që e karakterizonin.
Kryepolici Erion Ahmeti u shpreh se në këtë 2-vjetor të rënies së tij, efektivit të “Shqiponjave” i është akorduar statusi “Dëshmor i Atdheut”. Ai theksoi se sakrifica e Novruzit do të mbetet përherë në piedestalin më të lartë të Policisë së Shtetit.
Dy vjet nga ngjarja që tronditi qytetin e Fierit dhe organizatën e Policisë së Shtetit
Në datë 13 Maj 2024 në fshatin Baltëz, rreth orës 13:00, Azgan Mernica vrau me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave “Shqiponja”. 28 vjeçari sapo kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte në Drejtori të merrte detyrën.
Konflikti mes tyre, dyshohet të ketë nisur për përparësinë e kalimit në një rrugë të ngushtë që ndodhej në fshatin Baltëz të Fierit, zonë në të cilën banonte familja Cenalia prej shumë vitesh.
Efektivi i Forcave “Shqiponja” ka debatuar me të 23 vjeçarin Azgan Mernica që vinte nga një fshat tjetër, por që kalonte nëpër Baltëz. I riu zbritur ka zbritur nga automjeti i tij, ka hapur çantën ku mbante armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk ka dalë nga mjeti, e ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.