Connect with us

Kosova

Nuk ka asgjë serioze/ Konjufca “mbyll” dritaren e dialogut për vitin 2026

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar  se përpjekjet e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për të rikthyer liderët e Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut, nuk kanë pasur asgjë serioze në përmbajtje.

Konjufca ka theksuar në një intervistë për RTV Dukagjini se shpallja e zgjedhjeve të reja në Kosovë e ka bërë të pamundur vazhdimin e dialogut në nivel të lartë, duke paralajmëruar se, për sa i përket vitit 2026, ky proces tashmë është mbyllur.

“Jo s’ka pasur asgjë të re”, ka insistuar ai kur është pyetur për deklaratën e Kallasit se kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kishin dhënë pëlqimin e tyre për t’u takuar në kuadër të një raundi të ri të nivelit të lartë në Bruksel. “Nuk ka pasur asgjë – dhe nuk do të ketë. 2026-ta ka shkuar. Shihemi në vitin 2027”.

Kosova gjatë gjithë vitit të kaluar ka kaluar nëpër një krizë të thellë politike, pasojat e së cilës janë bartur edhe përgjatë vitit 2026. Pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të 25-ës, qytetarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit më 7 qershor.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, nën ombrellën e BE-së, që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke, daton që nga viti 2011.

E, përgjatë viteve, janë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar, përfshirë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, të njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Ndryshe, përderisa ekipet teknike kanë zhvilluar disa takime në Bruksel për të diskutuar çështje specifike, që nga shtatori 2023, kur tensionet në veri ndryshuan dinamikën e dialogut, nuk është zhvilluar asnjë takim mes krerëve të dy shteteve.

Advertisement