Bota
Ja çfarë duhet të bësh/ Trump i ka lënë JD Vance një letër sekrete në rast atentati
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mban një letër sekrete të adresuar për zëvendës presidentin JD Vance në tavolinën historike “Resolute Desk” në Zyrën Ovale, e cila do të përdorej vetëm në rast se presidentit do t’i ndodhte diçka gjatë mandatit.
Zbulimi u bë nga ndihmësi i presidentit dhe zëvendës asistent i Shtëpisë së Bardhë, Sebastian Gorka, gjatë një interviste në podcastin Pod Force One.
“Ka një letër në sirtarin e ‘Resolute Desk’ që i adresohet zëvendës presidentit, në rast se diçka ndodh”, deklaroi Gorka, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e dokumentit.
Deklarata vjen në një moment kur shqetësimet për sigurinë e Trump janë rritur pas një atentati të dështuar vetëm pak javë më parë pranë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, një incident që ka shtuar debatin mbi dhunën politike në Shtetet e Bashkuara.
Gorka minimizoi mundësinë që vende të huaja të synojnë presidentin amerikan gjatë udhëtimeve të tij ndërkombëtare, përfshirë samitin e rëndësishëm në Pekin me presidentin kinez, Xi Jinping.
“Të gjithë duan njohje nga ky njeri. Ky është individi më i fuqishëm që kemi parë që nga koha e Eisenhower-it”, tha ai, duke argumentuar se liderët botërorë kanë interes të ruajnë marrëdhënie me Trump dhe jo t’i minojnë ato.
“Ne kemi protokolle, më besoni. Jo të tilla që mund t’i diskutoj publikisht, por kemi protokolle”, shtoi Gorka në lidhje me ekzistencën e letrës dhe procedurat emergjente presidenciale.