Connect with us

Politike

Ekskluzive/ Zbulohet drafti final i rezolutës për antarësimin në BE dakordësuar nga PS dhe PD

Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësinë për miratimin e draft rezolutës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në draft rezolutë, integrimi në BE konsiderohet me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare”.

Drafti përfshin 13 angazhime për Kuvendin dhe 11 angazhime për Qeverinë në mënyrë që procesi për anëtarësimin në BE të përmbyllet sa më shpejt.

Në draft shkruhet:

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet:

Të forcojë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis të BE-së dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.

Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.

Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.

Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.

Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.

Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian.

Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.

Të monitorojë luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare.

Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet evropiane.

Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet dypalëshe me to.

Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave:

Të raportojë në përputhje me kuadrin ligjor, përfshirë plotësimin e piketave përmbyllëse për të gjithë grupkapitujt negociues dhe konkluzionet e konferencave ndërqeveritare.

Të garantojë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së, duke përshpejtuar reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësor dhe fushat e tjera të Grupkapitullit I “Themelorët”.

Të sigurojë sinergjinë mes instrumenteve të ndryshme financiare të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillim, duke raportuar në mënyrë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mbështetjen e partnerëve për zhvillim për procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian;

Të garantojë parashikime të dedikuara buxhetore në çdo program buxhetor për zbatimin e reformave kyçe në kuadër të procesit të anëtarësimit, me fokus të veçantë në mbështetjen për institucionet ligjzbatuese.

Të përputhë kuadrin ligjor për prokurimet publike me qëllim forcimin e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

Të përshpejtojë reformën në administratën publike në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian me qëllim rritjen e efikasitetit të saj dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime.

Të mbrojë mjedisin dhe zonat e mbrojtura, në përputhje me standardet e BE-së.

Të sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të garantuar një vendimmarrje me bazë sa më të gjerë.

I kërkon të forcojë më tej kapacitetet e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

I kërkon që të intensifikojë një fushatë ndërgjegjësuese mbi Bashkimin Evropian dhe standardet evropiane si nxitëse të transformimit evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

I kërkon të mbështesë më tej pushtetin vendor në forcimin e kapaciteteve të tij, për ta përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zbulohet drafti final i rezolutës për antarësimin në BE,

Advertisement