Aktualitet
Grabitën 28 mijë euro dhe bizhuteri me vlerë, arrestohen dy persona në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të dyshuar për kryerjen e një vjedhjeje në bashkëpunim.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë shtetasit D.Sh dhe M.D.
Nga hetimet paraprake rezulton se dy të arrestuarit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe, në orët e para të mëngjesit të 8 majit, kanë vjedhur banesën e R.V, në rrugën “Pandi Dardha”, në zonën e Laprakës.
Mësohet se të dy autorët kanë qenë të maskuar me kapuça dhe maska, duke hyrë në pallatin ku ndodhej apartamenti i R.V. Pasi kanë kryer vjedhjen, ata janë larguar me shpejtësi dhe më pas kanë përdorur automjetin e tyre për t’u larguar nga zona.
Dyshohet se autorët kanë marrë rreth 28 mijë euro, si edhe bizhuteri floriri me vlerë të konsiderueshme.
Burime hetimore bëjnë me dije se dy të arrestuarit nuk kishin njohje me R.V, por dyshohet se janë orientuar nga persona ende të paidentifikuar. Ndërkohë, shuma e vjedhur nuk është gjetur ende nga grupi hetimor.
Të arrestuarit rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë në Itali dhe Francë për vjedhje, si edhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.