Sport
Robert Lewandowski konfirmon largimin nga Barcelona: Faleminderit të gjithëve
Tani është zyrtare, Robert Lewandowski do të luajë mbrëmjen e së dielës ndaj Betis, ndeshjen e tij të fundit në Spotify Camp Nou me fanelën e Barcelonës. Sulmuesi polak konfirmoi largimin e tij nga Barcelona përmes një video të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, një komunikatë që u pasua edhe nga vetë klubi katalanas në faqen e tij të internetit.
‘Pas 4 vitesh me objektiva dhe punë të fortë, është momenti që të shoh përpara-shkruante Robert Lewandowski në postimin e tij përkrah videos-largohem me ndjesinë se e përmbusha misionin. Katër sezone, tre kampionate. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë që kam marrë nga tifozët që ditën e parë. Katalonja është vendi im në tokë. Faleminderit të gjithëve ju që ju kam njohur gjatë këtyre 4 viteve të mrekullueshëm. Një falenderim special për presidentin Laporta që më dha mundësinë të përjetoj kapitullin më të pabesueshëm të karrierës sime. Barcelona u kthye te vendi që i takon. Rroftë Barcelona, rroftë Katalonja’.
Në këto 4 sezone me Barcelonën, Robert Lewandowski ka zhvilluar 191 ndeshje me 119 gola të shënuara dhe është shënuesi i 14 më i mirë në historinë e klubit blaugrana. Sulmuesi polak, që në gusht do të festojë 38 vjetorin e tij të lindjes, u transferua te Barcelona në vitin 2022 pasi ka Bayernin e Mynihut, një transferim që kushtoi 50 milionë euro. Lewandowski gjatë 4 sezoneve të tij te Barcelonë fitoi 7 trofe; 3 tituj në La Liga, një Kupë Mbreti dhe 3 Superkupa të Spanjës.
Tani ajo që mbetet për t’u mësuar është e ardhmja e Lewandowskit i cili sipas asaj që ka publikuar ‘Mundo Deportivo’ ka marrë oferta tunduese klube nga Arabia Saudite si dhe Chicago Fire, ndërkohë që është shfaqur në skenë edhe Porto.
