Aktualitet
Shteti në xhepin tim/ Një histori suksesi e pastër: Shqiptarët me portofol digjital
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, një nismë e përafruar plotësisht me rregulloret e Bashkimit Evropian. Ligji sjell një nga ndryshimet më të rëndësishme në fushën e shërbimeve elektronike në vend, përmes krijimit të Portofolit të Identitetit Digjital, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë dhe përdorin në mënyrë të sigurt dokumente dhe të dhëna elektronike përmes telefonit apo pajisjeve të tjera digjitale. Në këtë portofol elektronik do të mund të ruhen dokumente identifikimi, leje drejtimi, diploma, certifikata dhe dokumente të tjera zyrtare në format elektronik.
Në letër, është një histori suksesi e pastër: më pak burokraci, më shumë shpejtësi, më shumë “shtet në xhep”. Por në praktikë, çdo sistem që centralizon identitetin e qytetarit nuk është vetëm inovacion. Është edhe një objektiv i madh për këdo që ka interes të prishë, manipulojë ose thjesht të testojë kufijtë e sigurisë së tij.
Në fazën e parë, sistemi synon të përfshijë dokumente bazë si kartën e identitetit (PID), lejen e drejtimit dhe nënshkrimin elektronik, ndërsa deri në vitin 2026 parashikohet përdorimi i tij në të paktën 20 shërbime publike. Në horizontin 2027, ambicia është edhe më e madhe: integrimi me ekosistemin evropian të identitetit digjital, ku qytetari shqiptar pritet të sillet “si evropian digjital i plotë”, të paktën në teori.
