Aktualitet
Qershi mbi tortën e korridorit/ Prishet heshtja e shinave, me tren për në Durrës, Tiranë dhe Rinas
Pas dekadash heshtjeje në shina, projekti për rikthimin e trenit drejt kryeqytetit ka hyrë zyrtarisht në garë.
Tenderi i cili do të bëjë të mundur lidhjen e Terminalit të Transportit Publik me Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë me një vlerë prej 15.7 mln euro është dhe hapi i radhës për rikthimin e trenit brenda në kryeqytet pas dekadash në heshtje.
Drejtori i Projektit për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, Bashkim Kasoruho, tregon detaje rreth projektit, si dhe zbulon se kur do të vihet në funksion.
“Ky projekt është qershia mbi tortë e korridorit, do të risjellë trenin në kryeqytet. Duke menduar se stacioni në 2014 ishte dhe pas kaq shumë vitesh nuk është më, jemi të lumtur që do ta risjellim brenda në kryeqytet. Lokacioni është i njëjti, rreth 100 metra pa dalë te bulevardi Zogu i Parë.” – tregoi Kasoruho duke theksuar se ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës ka kaluar në 3 faza të rëndësishme, 1 prej të cilave ka përfunduar plotësisht. Sapo është përfunduar procesi i prokurimit ndërkombëtar dhe brenda qershorit do të nënshkruhet kontrata dhe nisin punimet që do të zgjasin 18 muaj. Mendohet se në fund të 2027 do të jetë përfunduar elektrifikimin hekurudhor.
“Linja është e shpejtësisë së lartë, mund të ecë deri në 250 km/h, por për shkak të gjeometrisë së linjës, kthesave, shpejtësia maksimale është 120 km/h për shkak edhe të ndalesave që do të bëjë” – deklaroi Kasoruho duke shtuar: – “Trenat që do të operojnë do të jenë modernë elektrikë, me komoditet për persona me aftësi të kufizuara, për persona që lëvizin me biçikleta gjithashtu, të pajisur edhe me tualete, kondicionerë, çdo gjë që sot i shohim edhe në vendet e BE-së.”
Nëse gjithçka do të ecë sipas afateve të parashikuara, pas disa vitesh këto shina mund të rikthejnë sërish zhurmën e trenit në Tiranë. Një projekt që për shumëkënd duket si rikthim në të shkuarën, por që synon të jetë një hap drejt transportit të së ardhmes.
