Connect with us

Aktualitet

“Ik se po të sh*****j robt”/ Infermierja fyen rëndë pacientin

Një video tronditëse që ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ka hapur një tjetër plagë të rëndë mbi mënyrën se si trajtohen pacientët brenda institucioneve psikiatrike në Tiranë. Pamjet, tregojnë një realitet që s’ka asgjë të përbashkët me etikën mjekësore, por më shumë me një sjellje degraduese dhe poshtëruese ndaj personave në gjendje të brishtë mendore.

Në video, një paciente e shtruar në repartin e psikiatrisë shihet teksa refuzon marrjen e medikamenteve, duke pretenduar se është shtatzënë. Në vend të një reagimi profesional, të kujdesshëm dhe në përputhje me protokollet shëndetësore dëgjohet një gjuhë fyese dhe e papranueshme nga ana e një punonjëseje shëndetësore, e cila i drejtohet pacientes me shprehje ofenduese: “Ik se po të sh****j robt!

Denoncuesi shton gjithashtu një tjetër element edhe më shqetësues: dhënia e medikamenteve ndaj pacientëve, nuk bëhet gjithmonë në mënyrë të qetë dhe të standardizuar, por me presion dhe në disa raste edhe me forcë fizike. Nëse këto pretendime konfirmohen, atëherë nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar, por me një praktikë që kërkon ndërhyrje urgjente institucionale.

Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më të rëndë është fakti se ndodh brenda një reparti ku pacientët janë më të pambrojturit, aty ku durimi dhe profesionalizmi duhet të jenë standardi minimal. Në vend të kësaj, shfaqet një realitet ku kufiri mes kujdesit dhe abuzimit duket i zbehur.

Dhe këtu ngrihet problemi real: nuk është vetëm çështje e një individi, por e një zinxhiri të tërë përgjegjësie që nis nga rekrutimi i stafit, vazhdon me trajnimin, kontrollin e brendshëm dhe përfundon te mbikëqyrja institucionale që duhet të garantojë respektimin e të drejtave të pacientëve.

Nëse një sjellje e tillë ndodh brenda një strukture shëndetësore publike, pyetja nuk është më “çfarë ndodhi në video”, por “sa raste të tjera nuk janë parë kurrë?”.

JOQ Albania i bën thirrje menjëherë Ministres fantazmë të Shëndetësisë Evis Sala që të reagojë dhe të marrë masa konkrete për këtë ngjarje shqetësuese. Deklaratat për standarde europiane në shëndetësi nuk mund të mbeten vetëm në ëndrat e ministreshës.

Advertisement