Sport
SILVINJO LARGOHET NGA DREJTIMI I KOMBETARES
Sylvinho nuk do të jetë më trajner i kombëtares shqiptare të futbollit. Lajmi është bërë i ditur në minutat e fundit nga FSHF-ja. Brazilianit i përfundonte kontrata në fund të qershorit, ndërsa prej kohesh ishte në negociata për rinovimin, por palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas dështimit për te shkuar në Botërorin 2026.
Ky lajm vjen pak ditë para ndeshjeve miqësore që Shqipëria do të zhvillojë me 3 dhe 6 qershor në Tiranë kundër Izraelit dhe Luksemburgut. Ditën e sotme në orën 10:00, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) do të prezantojnë trajnerin e ri të kombëtares shqiptare.
Në kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria doli e dyta pas Anglisë duke lënë pas Serbinë, me një tjetër kualifikim historik në play-off-in e Kupës së Botës, aty ku u mund 2-1 nga Polonia në gjysmëfinalen e zhvilluar në Varshavë
Sylvinho iu bashkua kombëtares shqiptare në vitin 2023 dhe në vitin e tij të parë, arriti kualifikimin historik në Euro 2024, duke e mbyllur grupin kualifikues në vendin e parë.
52-vjeçari u prezantua me kuqezinjtë më 2 janar të vitit 2023 dhe deri në këto momente ka qenë në stolin e Shqipërisë për 34 ndeshje, me një mesatare pikësh prej 1.53 për ndeshje. Si trajneri i Shqipërisë, Sylvinho regjistroi 15 fitore, 12 humbje dhe 7 barazime. Në epokën e tij Shqipëria shënoi 40 gola, duke pësuar 30-të.
Miqësoret kundër Izraelit më 3 qershor dhe kundër Luksemburgut më 6 qershor në Tiranë do të jenë të fundit për të në stolin e ekipit. Sylvinho gjatë këtyre viteve është pajisur edhe me pasaportë shqiptare
Shqiponjat mbyllin përfundimisht faqen braziliane për t’u rikthyer aty ku ndihen më komodë taktikisht: te shkolla italiane e futbollit. Por si arritëm deri këtu?
Fluturimi i papritur: Nga anonimati te rekordet
Kur Sylvio Mendes Campos Júnior zbarkoi në Tiranë, CV-ja e tij si trajner i parë nuk ishte as e pasur dhe as bindëse. Megjithatë, ai mori një grup me potencial dhe e transformoi në një makineri kompakte dhe entuziaste. Rezultati ishte historik: kualifikimi në Kampionatin Europian me një fushatë rekordesh, futboll spektakolar dhe një bashkim i jashtëzakonshëm i lojtarëve.
Kulmi i këtij rrugëtimi nuk u ndal në Gjermani. Sylvinho udhëhoqi kuqezinjtë drejt një tjetër arritjeje madhore, duke i dërguar në fazën “play-off” për në Kupën e Botës. Kontrata e tij, e cila në letër skadonte në dhjetor të vitit të shkuar, u zgjat natyrshëm deri në muajin korrik për të mbuluar pritshmëritë dhe rëndësinë e sfidave të “play-off”-it përballë Polonisë dhe Ukrainës.
Fatura e suksesit: Një milion euro dhe ndihma e qeverisë
Suksesi, natyrisht, ka një çmim. Për të pasur një staf të nivelit të lartë, ku krahas Sylvinhos spikasnin emra si ish-ylli i Manchester City-t, Pablo Zabaleta, dhe Dorival, u nevojit një sforcim i jashtëzakonshëm financiar.
Për herë të parë në këto vite, për të përballuar pagën e këtij stafi u desh edhe kontributi i drejtpërdrejtë i qeverisë. Shifra? Rreth 1 milion euro në vit për të gjithë stafin teknik. Një paketë e majme për realitetin tonë, por e konsideruar e justifikuar për sa kohë rezultatet në fushë po shkruanin historinë.
Pse dështoi rinovimi? Prapaskena e një “Jo”-je
Largimi nuk erdhi si pasojë e mungesës së dëshirës për të vazhduar projektin sportiv. Guri i parë i provës ishte vullneti i trajnerit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e kishte lënë të qartë: hapi i parë ishte që vetë Sylvinho të reflektonte nëse ndihej i aftë të mbante nën kontroll këtë grup dhe të menaxhonte presionin e vazhdimësisë.
Braziliani, pasi analizoi situatën, e ndjeu veten të gatshëm për të qëndruar në “timon”. Por, ashtu siç ndodh rëndom në botën e futbollit profesionist, dëshira duhej përkthyer në kontratë. Faza e dytë ishin negociatat financiare, dhe këtu mekanizmi u bllokua. Burimet pranë institucionit të futbollit bëjnë me dije se palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Trajneri kishte pretendime për një rritje dhe përfitim financiar ndryshe nga ofroi federata, duke çuar në një krisje përfundimtare dhe ndërprerjen e bashkëpunimit.