Connect with us

Kronike

Plagosja me armë/ Policia zbardh dinamikën: Njëri prej tyre ishte në kërkim për tentativë vrasje

Një operacion i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Policia e Shtetit ka përfunduar me arrestimin e dy shtetasve dhe plagosjen e një 23-vjeçari të shpallur në kërkim, pas një përplasjeje të rrezikshme me efektivët në aksin rrugor “Mamurras-Laç”.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave në kërkim, në bashkëpunim dhe pas shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.

Policia kishte administruar të dhëna për vendndodhjen e shtetasit Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Trentos në Itali për tentativë vrasjeje.

Gjatë ndërhyrjes së forcave operacionale në një karburant përgjatë aksit Mamurras-Laç, i riu, i cili ndodhej në automjet së bashku me shtetasin A. F., 28 vjeç, ka tentuar të përplasë me makinë efektivët e Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

 

 

Në të njëjtën kohë, sipas Policisë, personi që e shoqëronte ka nxjerrë dhe drejtuar një armë zjarri pistoletë në drejtim të shërbimeve policore.

Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë ndërhyrë duke neutralizuar situatën, ku si pasojë është plagosur 23-vjeçari i shpallur në kërkim. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi A. F., 28 vjeç, ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.

Njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.

Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.

Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.

Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.

Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.

Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.

Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.

Advertisement