Connect with us

Kronike

Dhunoi barbarisht gazetarin? Reagon biznesmeni: Nëse ka prova 100 vite burg do bëj

Pas denoncimit të bërë nga gazetari shkodran Ervin Dushi, pronari i supermarketeve “Xhedis” në Shkodër Prek Gjoni ka mohuar përfshirjen e tij në dhunën ndaj Dushit.

Në një lidhje telefonike për News24, biznesmeni deklaroi se gazetari është rrëzuar vetë ndërsa mohoi se ai ka gisht në dhunimin e tij, duke u shprheur se nëse ka prova se ai e ka dhunuar, është i gatshëm të bëjë 100 vite burg.

Më tej, pronari i “Xhedis” ka pretenduar se gazetari Dushi e ka shantazhuar për produkte të skaduara që sipas tij nuk është e vërtetë sepse marketet e tij nuk mbajnë produkte të tilla. Në lidhje me shantazhimet e marra nga gazetari ai tha më tej se ka njoftuar dhe AKU-në.

“Kam shumë gjëra për të treguar. Ky Ervini, ka 24 orë që më ka shantazhuar në rrjetet sociale, rrjetin e supermarketeve.  Ai ka kërkuar të takojë një kushëririn tim ku fliste për gjëra të skaduara që helmonin qytetarët. Ne nuk e dimë se çfarë flet ai, se ne jemi të ndershëm.  Unë që dje e kam njoftuar policinë, se nuk ishte normale kjo që bënte.  Kam njoftuar dhe AKU-në, që po më shantazhon ky person dhe se nuk është çështje ushqimesh të skaduara” shprehet Gjoni.

Duke i mëshuar sërish faktit se ai as nuk e ka prekur me dorë gazetarin, Prek Gjoni thotë se ai është takuar me të, duke shtuar se vetëm e ka shtyrë dhe jo se e ka goditur.

“Nuk ishte takim rastësor, por ai më kërkoi ta marr në telefon. Nuk e kam goditur. Është rrëzuar! Ta harrojë. Nuk i kam rënë. E kam shtyrë, me thënë të drejtën. Jam i gatshëm, në polici, kudo, që të jap dëshminë time” tha më tej biznesmeni.

Në përmbyllje të reagimit të tij, pronari i “Xhedis” thotë se mamaja e gazetarit punonte te një nga pikat e supermarketit të tij, por është detyruar ta heqë nga puna me pretendimin se ajo vidhte produktet. Me këtë deklaratë biznesmeni ngre dyshimet se përplasje mes tyre mund të ketë qenë për arsye personale.

“Ky person ka pasur nënë në punë, prej disa vitesh, ai ka ngrënë nga buka jonë. Por e kemi hequr nënën e tij nga puna sepse vidhte. E kemi kapur duke vjedhur. Edhe vëllain e këtij personi e kam kapur duke vjedhë. I kam denoncuar të gjitha në prokurori” përfundon fjalën e tij biznesmeni.

Fjala e plotë: Kam shumë gjëra për të treguar. Ky Ervini, ka 24 orë që më ka shantazuar në rrjetet sociale, rrjetin e supermarketeve.  Ai ka kërkuar të takojë një kushëririn tim ku fliste për gjëra të skaduara që helmonin qytetarët. Ne nuk e dimë se çfarë flet ai, se ne jemi të ndershëm.  Unë që dje e kam njoftuar policinë, se nuk ishte normale kjo që bënte.

Kam njoftuar dhe AKU-në, që po më shantazhon ky person dhe se nuk është çështje ushqimesh të skaduara.  Kaloi në darkë te unë dhe takoi një shokun tim. E lamë të takohem te një lokal. Isha vetëm në lokal, më është afruar. I kam thënë; zotëri çfarë problemi ke me mua? Çfarë borxhi të kam? Ai u afrua dhe më shtyu mua. Unë nuk mbaj mend që e kam goditur. Ai është vrarë kur u rrëzua.  Ishin dhe të tjerë njerëz, se di kush, por kam qenë i shqetësuar. Unë kam qenë i shqetësuar, se ai ka pasur tërë ditën që më shantazhonte në rrjetet sociale. Ai kërkoi të më takonte. E kam me mesazhe. Ai më kërkoi të takohej me mua.

Nuk ishte takim rastësor, por ai më kërkoi ta marr në telefon. Nuk e kam goditur. Është rrëzuar! Ta harrojë. Nuk i kam rënë. E kam shtyrë, me thënë të drejtën. Jam i gatshëm, në polici, kudo, që të jap dëshminë time.

Nuk ka njeri më të ndershëm se unë në këtë gjë! Nuk kam shkuar në polici, mua nuk më ka kërkuar njeri.

Në datën 19 prill, një person me emrin Jurgej Pepaj, doli në një media dhe foli për pronarin e supermarketit, ku thoshte; unë dhunoj punëtorët, i mbaj rrogat.

Kur e mora vesh lajmin, them se nuk ka asgjë të vërtetë. Ky person ka pasur nënë në punë, prej disa vitesh, ai ka ngrënë nga buka jonë. Por e kemi hequr nënën e tij nga puna sepse vidhte.

E kemi kapur duke vjedhur. Edhe vëllain e këtij personi e kam kapur duke vjedhë. I kam denoncuar të gjitha në prokurori.

Ky djali e ka kërcënuar djalin tim se do të na hedhë në erë. E kam me prova dhe këtë. Të nesërmen, Ervini ka dalë të mbrojë këtë djalin. Por nuk ka asnjë provë. Nëse ka prova, 100 vjet burg të më dënojnë mua.

Advertisement