Bota
MJEKET NE SHBA: TRUMP I PAAFTE MENDERISHT
Dyshimet për aftësinë e Donald Trump për të ushtruar detyrën e presidentit po shtohen sërish. Mjekë amerikanë thonë se ka rënie të aftësive njohëse dhe sjellje impulsive. Çfarë fshihet pas këtyre akuzave dhe sa serioze është në të vërtetë situata? Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë është ngritur vazhdimisht pyetja, nëse Donald Trumpi është ende plotësisht i aftë për të ushtruar detyrën e presidentit?
Në një artikull të publikuar në “British Medical Journal”, 30 mjekë amerikanë vënë hapur në dyshim aftësinë e Trumpit për të ushtruar detyrën e presidentit. Sipas tyre ai përbën një “rrezik të qartë dhe të menjëhershëm” për botën. Kërkesa e tyre drastike është: shkarkimi i menjëhershëm i Trumpit nga detyra.
Ekspertët, mes tyre neurologë, psikiatër dhe psikologë, shohin tek Trumpi shenja të rënies së aftësive mendore. Ata u referohen fjalimeve të paqarta, kalimeve të papritura nga një temë në tjetrën dhe lodhjes së dukshme të Trumpit. Dyshimet janë shtuar edhe vëzhgimeve të tjera gjatë paraqitjeve publike, kur Trump ndonjëherë humbet fillin e bisedës, ngatërron emra ose bie në kundërshtim me deklaratat e veta brenda një kohe të shkurtër.
Sië thuhet në një shkrim të Deutsche Welle, mjekët gjithashtu mendojnë se Donald Trump ka “bindje megalomane dhe deluzionale”. Reagime të forta shkaktoi së fundmi një fotografi e krijuar me inteligjencë artificiale që e paraqiste atë si Jezusin. Pas kritikave Trump e fshiu postimin dhe deklaroi se kishte menduar se në atë fotografi dukej si mjek.
Dhe mënyra se si shprehet për disa teste konjitive ka ngritur pikëpyetje. Trumpi mburret vazhdimisht se ka bërë gjoja “teste të vështira inteligjence”. Por në fakt bëhej fjalë për të ashtuquajturat teste MoCA, procedura të thjeshta për zbulimin e hershëm të demencës dhe jo për teste inteligjence. Në të njëjtën kohë ata theksojnë se mungesa e një diagnoze nuk do të thotë automatikisht se nuk ka arsye për t’u shqetësuar, përkundrazi, sipas tyre në rastin e Trumpit nevojitet një “ekzaminim klinik urgjent”.
Një ekzaminim i tillë është paralajmëruar për në fund të muajit maj, kur Trumpi pritet t’i nënshtrohet kontrollit në spitalin ushtarak Walter Reed. Se sa transparente do të jenë rezultatet mbetet e paqartë. Ajo që është e qartë është se debati mbi gjendjen mendore dhe fizike të Trumpit tashmë është kthyer në çështje politike dhe ka të ngjarë të vazhdojë ta shoqërojë atë.