Connect with us

Rajon

“Askush s’futet në be pa reforma”/ Marta Kos jep mesazhin e fortë për Ballkanin

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos dha një mesazh për vendet e Ballkanit Perëndimor në ceremoninë e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi. Kos deklaroi se asnjë shtet nuk arrin të bëhet pjesë e Bashkimit Europian pa reforma të forta, vendosmëri politike dhe unitet kombëtar.

“Askush nuk arrin në këtë fazë të procesit të zgjerimit pa përpjekje të jashtëzakonshme dhe askush nuk bëhet anëtar i Bashkimit Europian pa një vendosmëri dhe unitet kombëtar edhe më të madh në pjesën finale të këtij rrugëtimi”, tha Kos.

Gjatë fjalës së saj, Komisionarja theksoi se Bashkimi Europian ka nisur hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë të progresit të bërë nga Podgorica në rrugën drejt BE-së. Kos u shpreh se Europa i sheh arritjet dhe ky është një vlerësim i qartë për progresin e Malit të Zi, por edhe një nxitje për të përshpejtuar reformat që kanë mbetur.

“Njëzet vite më parë, ju vendosët të shkruanit një kapitull të ri në historinë e gjatë të shtetësisë së Malit të Zi. Europa sheh atë që keni ndërtuar. Europa sheh arritjet tuaja. Së shpejti, edhe ju do të kontribuoni në historinë e Bashkimit Europian. Kapitujt e ardhshëm të historisë sonë të përbashkët do të shkruhen së bashku. Vendi i Malit të Zi në Bashkimin Europian tani po merr formë. Hartimi i Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi ka nisur tashmë. Ky është një vlerësim i qartë për progresin tuaj, por edhe një nxitje për të përshpejtuar reformat që kanë mbetur për të përfunduar rrugëtimin tuaj”, deklaroi Komisionarja.

Kos tha ndër të tjera, se Bashkimi Europian nuk dobëson shtetet anëtare, por i bën ato më të forta përballë sfidave globale. Kos gjithashtu u shpreh se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe se një Europë e bashkuar mund të ndihmojë rajonin të lërë pas plagët e së shkuarës.

“Bashkimi Europian nuk e zëvendëson shtetësinë. Përkundrazi, ai forcon aftësinë e shteteve tona për të mbrojtur qytetarët, për të mbrojtur liritë e tyre dhe për të krijuar prosperitet në një botë ku asnjë vend europian nuk mund t’i përballojë i vetëm forcat që e rrethojnë as shtetet tona më të mëdha anëtare. Kjo është arsyeja pse ne e dimë shumë mirë, sidomos shtetet e vogla: së bashku jemi më të fortë. Më të fortë në mbrojtjen e demokracisë. Më të fortë në mbrojtjen e sigurisë sonë. Më të fortë në krijimin e mundësive ekonomike.

Më të fortë në ruajtjen e vlerave tona dhe mënyrës sonë të jetesës në një botë gjithnjë e më shumë të formësuar nga fuqitë e mëdha. Për mua, ky moment është shumë personal. Teksa rritesha, sllovenët dhe malazezët ishin të barabartë. Nuk kishte kufij që na ndanin. Studionim bashkë, punonim bashkë dhe krijonim miqësi bashkë. Historia na çoi në rrugë të ndryshme. Pamë fytyrën më të keqe të njerëzimit. U shfaqën kufij të rinj dhe çdo komb duhej të gjente rrugën e vet. Por sot, Europa na jep mundësinë të ribashkohemi në mënyrë paqësore, të lirë, demokratike dhe si partnerë të barabartë”, tha Kos./

Advertisement